Presidenti Biden vazhdon strategjinë diplomatike të aleancave
Presidenti amerikan Joe Biden zhvilloi këtë javë një takim me kryeministrin e Japonisë dhe presidentin e Filipineve në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar sigurinë në rajonin e Indo-Paqësorit. Qasja e Presidentit Biden ndaj politikave të sigurisë dallon nga ajo e paraardhësit të tij dhe rivalit të tij të pritshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Donald Trump.
Këtë javë, Presidenti Biden zhvilloi një takim dypalësh dhe shtroi një darkë shtetërore për kryeministrin japonez Fumio Kishida.
“Ne jemi sërish krah për krah me aleatët tanë, sepse aleancat janë pasuria më e madhe e Amerikës”, tha ai.
Presidenti e ktheu partneritetin dypalësh në një aleancë trepalëshe një ditë më vonë, duke përfshirë në një takim të përbashkët me kryeministrin Kishida edhe presidentin e Filipineve Ferdinand Marcos Jr.
Temë qendrore e takimeve të kësaj jave ishte siguria në detin të Kinës Jugore, në të cilat u njoftua krijimi i një sistemi të përbashkët të mbrojtjes ajrore. Aleanca synon të frenojë Kinën, por Presidenti Biden nuk e tha këtë haptazi.
“Gjërat që diskutuam sot përmirësojnë bashkëpunimin tonë dhe kanë të bëjnë thjesht me mbrojtjen dhe gatishmërinë tonë. Diskutimet nuk kishin në shënjestër asnjë vend apo kërcënim të rajonit dhe nuk kanë të bëjnë fare me konfliktin.”
Samiti trepalësh i organizuar nga Presidenti Biden pasqyron qasjen e tij për të punuar me një rrjet aleancash me vendet me qëndrime të ngjashme.
Ky është në kontrast me paraardhësin e tij, Presidentin Donald Trump, i cili ndiqte strategjinë “Amerika e Para” dhe përparësi kishte marrëdhëniet personale me udhëheqësit e huaj në vend të aleancave dhe traktateve.
Kjo ishte strategjia e presidentit Donald Trump në vitin 2017, kur priti kryeministrin japonez Shinzo Abe në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne do të kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme, një marrëdhënie afatgjatë me përfitime reciproke me Japoninë”, tha ai.
Me këto marrëdhënie individuale, Presidenti Trump ringjalli idenë e samitit diplomatik “Quad”, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Australinë, Japoninë dhe Indinë. Cleo Paskal nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive thotë se Shtetet e Bashkuara po largohen nga kjo qasje.
“Nëse shikoni Indo-Paqësorin tani, administrata e Presidentit Biden është shumë e përqendruar në pjesën e Paqësorit dhe më pak në pjesën e Oqeanit Indian dhe veçanërisht në partneritetin me Indinë”, thotë ajo.
Zoti Biden dhe zoti Trump kanë përdorur retorikë të ashpër ndaj Kinës. Presidenti Biden e ka quajtur presidentin kinez Xi Jinping një “diktator”, ndërsa zoti Trump me strategjinë “Amerika e Para” shpesh vë në shënjestër politikat tregtare të Kinës.
“Më lejoni t’ju them diçka për Kinën. Nëse po dëgjon, presidenti Xi, unë dhe ti jemi miq, por ai e kupton mënyrën se si veprojmë. Në ato fabrika të mëdha të prodhimit të makinave që po ndërtoni në Meksikë, ju nuk do të punësoni amerikanë, por doni të na shisni makinat”.
Analistja Cleo Paskal thotë se kjo qasje do të vazhdojë nëse zoti Trump fiton një mandat tjetër.
“Unë mendoj se do të shihni një mbrojtje shumë të përqendruar në interesat e Shteteve të Bashkuara, por gjithashtu një përpjekje për ta shtyrë Kinën jashtë zonave në të cilat Kina është zgjeruar në vitet e kaluara.”
Ekspertja Cleo Paskal thotë se kjo do të përfshinte veprime ushtarake agresive në detet e Kinës Jugore dhe Lindore dhe një ofensivë diplomatike në Ishujt e Paqësorit dhe Oqeanin Indian.