Irani lëshon dronë në drejtim të Izraelit
Ushtria izraelite thotë se Irani ka lëshuar disa dronë drejt Izraelit.
Shtëpia e Bardhë e konfirmoi një gjë të tillë, duke shtuar se sulmi ajror mund të zgjasë disa orë.
Garda Revolucionare e Iranit tha të shtunën se ka lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa kundër objektivave konkrete në Izrael, sipas një deklarate të Gardës cituar nga media shtetërore.
Sulmi mund të shkaktojë një përshkallëzim të përmasave të mëdha mes dy vendeve.
Dy burime sigurie në Irak thanë se dhjetëra dronë ishin parë duke fluturuar nga Irani në drejtim të Izraelit mbi hapësirën ajrore të Irakut.
“Presidenti Biden e ka bërë të qartë: mbështetja jonë për sigurinë e Izraelit është e onon.. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër kërcënimeve nga Irani”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Adrienne Watson.
Sipas njoftimit, Presidenti Biden po informohet rregullisht për situatën dhe do të takojë së shpejti ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
Presidenti ndërpreu një udhëtim të fundjavës në Delauer dhe u kthye në Uashington për konsultime urgjente në Shtëpinë e Bardhë me ekipin e tij të sigurisë kombëtare, mes zhvillimeve të fundit.
Teherani ishte zotuar të hakmerrej për një sulm në Damask javën e kaluar nga i cili gjetën vdekjen një komandant i lartë i Gardës Revolucionare iraniane dhe gjashtë oficerë të tjerë, për të cilin Irani akuzon Izraelin.
Menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi ndryshimin e planeve të Presidentit Biden, Pentagoni tha se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte folur me homologun e tij izraelit “për të diskutuar kërcënimet urgjente rajonale … dhe e bëri të qartë se Izraeli mund të mbështetet plotësisht tek Shtetet e Bashkuara për t’u mbrojtur nga çdo sulm i Iranit dhe grupeve të mbështetura prej tij.”
Garda Revolucionare e Iranit konfiskoi të shtunën një anije transporti që “lidhet me regjimin zionist (të Izraelit)” afër Ngushticës së Hormuzit” njoftuan mediat shtetërore në Teheran.
Përpara se Irani të lëshonte dronët, Izraeli ndaloi ekskursionet e shkollave dhe aktiviteteve të tjera për të rinjtë në ditët e ardhshme dhe vuri në gatishmëri të lartë forcat e tij ushtarake në përgjigje të kërcënimit për një sulm të mundshëm nga Irani.
Gjatë një konference televizive për shtypin më herët të shtunën, zëdhënësi i ushtrisë izraelit nënadmirali Daniel Hagari tha se “Irani do të vuajë pasojat nëse e përshkallëzon më tej situatën”.
Fraksion.com