SHBA: Kina po rrit shitjet e pajisjeve që Rusia përdor për të prodhuar armë
Kina ka rritur shitjet e pajisjeve të makinerisë, mikroelektronikës dhe teknologjive të tjera që Moska përdor për të prodhuar raketa, tanke, avionë dhe armë të tjera për luftën e saj kundër Ukrainës, thuhet në një vlerësim të bërë nga Shtetet e Bashkuara.
Dy zyrtarë të administratës të presidentit amerikan, Joe Biden, që diskutuan për këto gjetje në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se më 2023 rreth 90 për qind e mikroelektronikës së Rusisë ishte nga Kina. Këto pajisje Rusia i përdor për të prodhuar raketa, tanke dhe avionë luftarakë. Pothuajse 70 për qind e importeve të Rusisë – në vlerë prej rreth 900 milionë dollarësh – në çerekun e fundit të vitit 2023 ishte nga Kina.
Entitetet kineze dhe ruse kanë punuar po ashtu për të prodhuar së bashku dronë brenda Rusisë dhe kompanitë kineze ka gjasa që e kanë furnizuar Rusinë me nitrocelulozën e nevojshme për të prodhuar shtytës të raketave, thanë zyrtarët e administratës Biden.
Pekini po ashtu po punon me Rusinë për të përmirësuar satelitët e Moskës dhe aftësitë e tjera të vendosura në hapësirë, me qëllim që të përdoren në Ukrainë. Kjo sipas zyrtarëve do të rrisë, në terma afatgjatë, kërcënimin që Rusia paraqet për gjithë Evropën. Zyrtarët, duke cituar gjetjet e inteligjencës, thanë se SHBA-ja ka përcaktuar po ashtu Kina po i ofron imazhe Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës.
Zyrtarët diskutuan për këto gjetje para se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të vizitojë Kinën gjatë këtij muaji. Presidenti Biden edhe më herët ka ngritur shqetësimin e tij gjatë takimeve me presidentin kinez, Xi Jinping, lidhur me mbështetjen e tërthortë të Pekinit për përpjekjet e luftës të Rusisë.
Përderisa Kina nuk i ka ofruar drejtpërdrejt ndihmë vdekjeprurëse ushtarake Rusisë, Pekini e ka mbështetur në aspektin diplomatik, duke e fajësuar Perëndimin se e ka provokuar presidentin rus, Vladimir Putin, për të marrë vendimin që të nisë luftën. Kina po ashtu nuk e ka quajtur luftën pushtim.
Kina ka deklaruar se nuk i ofron Rusisë armë apo ndihmë ushtarake, megjithëse ka mbajtur lidhje të forta ekonomike me Moskën, teksa Rusia po përballet me sanksione të ashpra ndërkombëtare.
Të martën, Xi u takua në Pekin me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili lavdërojë udhëheqjen e presidentit kinez.
Izolimi ekonomik dhe diplomatik i Rusisë e ka bërë atë më të varur nga Kina, ish-rivalja e saj për udhëheqjen e bllokut komunist gjatë Luftës së Ftohtë.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, e cila u kthye gjatë kësaj jave në Uashington nga vizita në Pekin, tha se ka paralajmëruar zyrtarët kinezë se administrata Biden po përgatit sanksione ndaj bankave, kompanive dhe udhëheqjes në Pekin, nëse ata ndihmojnë forcat e armatosura të Rusisë gjatë pushtimit të Ukrainës, i cili po vazhdon./REL
Fraksion. com