Tre djemtë e udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh, vriten nga një sulm ajror izraelit
Tre djemtë e udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, u vranë në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës të mërkurën, thanë zyrtarë të grupit dhe familja Haniyeh.
Ushtria izraelite konfirmoi kryerjen e sulmit dhe tha se tre djemtë ishin operativë të krahut të armatosur të Hamasit.
Ismail Haniyeh, i cili vepron në Katar, ka qenë një nga përfaqësuesit e ashpër të Hamasit me të cilin është përballur diplomacia ndërkombëtare pas fillimit të luftës mes militantëve palestinezë dhe Izraelit në Gazë, ku shtëpia e familjes së tij u shkatërrua në një sulm ajror izraelit në nëntor.
Tre djemtë – Hazemi, Amiri dhe Muhamedi – u vranë pasi makina me të cilën po udhëtonin u bombardua në kampin Al-Shati të Gazës, tha Hamasi. Tre nga nipërit e zotit Haniyeh u vranë gjithashtu në sulm, thanë mediat e kontrolluara nga Hamasi.
Në deklaratën e ushtrisë izraelite nuk u përmendën viktima të tjera të sulmit ajror.
“Gjaku i djemve të mi nuk është më i shtrenjtë se gjaku i popullit tonë”, tha për televizionin Al Jazeera, 61 vjeçari Ismail Haniyeh, i cili ka 13 djem dhe vajza, sipas burimeve të Hamasit.
Tre djemtë dhe tre nipërit po bënin vizita familjare gjatë ditës së parë të festës së Fitër Bajramit në Shati, kampi i tyre i refugjatëve në qytetin e Gazës, thanë të afërmit e tyre.
Hamasi tha të martën se po shqyrtonte një propozim izraelit për arritjen e një armëpushimi në luftën më shumë se gjashtë mujore të Gazës, por theksoi se ai nuk plotësonte asnjë nga kërkesat palestineze.
“Kërkesat tona janë të qarta dhe konkrete dhe ne nuk do të bëjmë lëshime. Armiku është në iluzion nëse mendon se vënia në shënjestër e djemve të mi, në kulmin e negociatave dhe përpara se lëvizja jonë të japë përgjigjen e saj, do ta shtyjë Hamasin të ndryshojë pozicionin e tij”, tha zoti Haniyeh.
Në muajin e shtatë të luftës, në të cilën ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit ka shkatërruar Gazën, Hamasi po kërkon që t’i jepet fund operacioneve ushtarake izraelite, tërheqjen e trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe kthimin në shtëpitë e tyre të palestinezëve të zhvendosur.
Djali i madh i zotit Haniyeh konfirmoi në një postim në Facebook vrasjen e tre vëllezërit të tij. “Faleminderojë Zotin që na nderoi me martirizimin e vëllezërve të mi, Hazemit, Amirit dhe Muhammedit dhe fëmijëve të tyre”, thuhet në postimin e Abdel-Salam Haniyehit.
I emëruar në postin e udhëheqësit kryesor të grupit militant në vitin 2017, Haniyeh ka lëvizur mes Turqisë dhe kryeqytetit të Katarit, Doha, duke shmangur kufizimet e udhëtimit të vendosura nga Izraeli ndaj Gazës dhe duke i mundësuar atij që të veprojë si negociator në negociatat e fundit të armëpushimit dhe të komunikojë me aleatin kryesor të Hamasit, Iranin.
Izraeli e konsideron të gjithë udhëheqjen e Hamasit si terroriste, duke akuzuar zotin Haniyeh dhe udhëheqës të tjerë se vazhdojnë “të dirigjojnë operacionet e organizatës terroriste të Hamasit”.
Por nuk është e qartë se sa dinte Ismail Haniyeh për sulmin ndërkufitar të 7 tetorit ndaj Izraelit nga militantët me bazë në Gazë. Plani i sulmit, i hartuar nga këshilli ushtarak i Hamasit në Gazë, ishte tepër sekret dhe disa zyrtarë të Hamasit jashtë vendit dukeshin të tronditur nga koha dhe shkalla e tij.
Fraksion.com