AktualitetBota+Të fundit

Në gjashtëmujorin e luftës, Izraeli tërheq forcat nga Khan Younis. Përgatitet për fazën tjetër të luftës

Ushtria izraelite njoftoi se ka tërhequr forcat e saj nga qyteti Khan Younis në Rripin e Gazës, duke e ulur praninë e forcave izraelite në këtë territor në njërin nga nivelet më të ulëta që nga fillimi i luftës gjashtë muaj më parë. Por zyrtarët izraelitë thanë se ushtria po bën vetëm rigrupim të forcave të saj ndërkohë që po përgatitet për betejën kundër Hamasit në Rafah.

Gjashtëmujori i luftës në Gazë po shënohet me rritjen e tensioneve në Izrael, ku protestat kundër qeverisë po shtohen krahas për atë që po shihet si mosveprim i qeverisë për të ndihmuar në lirimin e 130 pengjeve që vazhdojnë të mbahen nga Hamasi, një e katërta e të cilëve besohet se kanë vdekur.

Një makinë kalon me shpejtësi përmes turmës së protestuesve në Tel Aviv, që po i bëjnë thirrje qeverisë të arrijë një marrëveshje për lirimin e pengjeve me Hamasin.

Në pjesët e tjera të Tel Avivit, mijëra izraelitë protestojnë kundër qeverisë dhe po kërkojnë zgjedhje të parakohshme për shkak të paaftësisë së saj për të siguruar deri më tani lirimin e pengjeve të rrëmbyera më 7 tetor.

Izraeli të hënën tërhoqi forcat e veta nga qyteti Khan Younis – vendlindja e udhëheqësit të Hamasit Yehya Sinwar – por zyrtarët ushtarakë thanë se një veprim i tillë po bëhet në përgatitje për ofensivën izraelite në Rafah, ku po strehohet rreth gjysma e popullsisë së Gazës, në mesin e së cilëve shumë prej të zhvendosurve nga pjesët tjera të territorit.

“Hamasi ka pushuar së funksionuari si organizatë ushtarake nëpër tërë Rripin e Gazës. Trupat po largohen nga Khan Younis dhe do të përgatiten për misionet e radhës”, deklaroi Yoav Gallant, Ministri izraelit i Mbrojtjes.

Para gjashtë muajsh, grupi militant Hamas, të cilin Shtete e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë shpallur organizatë terroriste, u fut në Izrael duke vrarë 1,200 izraelitë dhe duke rrëmbyer mbi 250 pengje.

Izraeli i shpalli luftë Hamasit dhe ndërmori një operacion të gjerë ajror dhe tokësor në Gazë me premtimin që të shkatërrojë plotësisht Hamasin. Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të administruar nga Hamasi, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 33 mijë palestinezë dhe plagosur 75 mijë të tjerë.

Sulmet ajrore të Izraelit kanë shkatërruar pjesën më të madhe të infrastrukturës së qytetit në Gazë, duke shkaktuar krizë humanitare. Izraeli hedh poshtë akuzat për krime lufte.

Sipas Kombeve të Bashkuara, uria vazhdon ta kërcënojë Gazën.

Javën e kaluar, forcat izraelite shkatërruan një autokolonë humanitare të organizatës World Central Kitchen megjithëse grupi koordinoi lëvizjet e veta me forcat ushtarake.

Themeluesi i kësaj organizate bamirëse Jose Andres pezulloi punën humanitare në Gazë dhe i bëri thirrje ushtrisë izraelite të bëjë më shumë përpjekje për të mbrojtur civilët në këtë zonë konflikti.

“Mund të jesh mik i Izraelit dhe njëkohësisht t’i thuash partnerit tënd në Lindje të Mesme se nuk mund ta kryesh kështu luftën. Nuk mund të shkatërrosh çdo ndërtesë, çdo spital, çdo shkollë e universitet. Nuk mund ta shkatërrosh të ardhmen e mbi 2 milionë palestinezëve dhe t’i lësh pa bukë, pa ujë, ose për më keq, t’i vrasësh në mes të rrugës ndërsa përpiqen të sigurojnë ushqim”, tha ai.

Aleatët strategjikë të Izraelit kërkuan hetim të menjëhershëm dhe të pavarur të sulmit ndaj punonjësve të ndihmave.

Izraeli përjashtoi dy oficerë të ushtrisë në lidhje me incidentin. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e quajti sulmin “tragjik”.

Por ai është i vendosur që të mos pranojë thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim humanitar derisa të mos lirohen të gjitha pengjet që po mbahen nga Hamasi.

Që nga sulmi vdekjeprurës i javës së kaluar, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se nëse Izraeli nuk ndryshon mënyrën e luftës së tij në Gazë, Shtetet e Bashkuara do ta ndryshojnë politikën e tyre ndaj Izraelit.

“Ushtria izraelite duhet të bëjë disa ndryshime në mënyrën se si po i zhvillon këto operacione në Gazë për t’u siguruar se një gjë e tillë nuk do të përsëritet kurrë më”, deklaroi John Kirby.

Pas 180 ditësh luftë, të paktën publikisht, nuk ka plan për një armëpushim të menjëhershëm, lirim të pengjeve apo përfundim të luftimeve.

 

Fraksion.com