Blinken: SHBA nuk ka marrë një datë të caktuar nga Izraeli për fillimin e ofensivës në Rafah
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të martën se Izraeli nuk i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara për ndonjë datë specifike për fillimin e një ofensive të madhe në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por shtoi se zyrtarët amerikanë dhe izraelitë janë në kontakt të vazhdueshëm për t’u siguruar që “çdo lloj operacioni i madh ushtarak nuk do të dëmtojë të civilët.”
Komentet e Sekretarit Blinken vijnë një ditë pasi kryeministri izraelit Netanyahu tha se ishte caktuar një datë për pushtimin e qytetit Rafah. Ky qytet është i mbushur me rreth 1.4 milionë palestinezë, shumica e të cilëve janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës. Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, kanë thënë se një operacion tokësor në Rafah do të ishte një gabim dhe kanë kërkuar që të shohin një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve.
Ofensiva ushtarake e Izraelit ka shtyrë Gazën në një krizë humanitare, duke lënë më shumë se 1 milion njerëz në prag të urisë.
Mbi 33,200 palestinezë janë vrarë dhe 76,000 të tjerë kanë plagosur nga lufta në Rripin e Gazës, tha të martën Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi. Ministria e Shëndetësisë nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve në raportin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë dy të tretat e të vdekurve.
Lufta filloi më 7 tetor kur militantët e udhëhequr nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz./VOA
Fraksiom.com