Zbardhen 3 raste të vendosjes së lëndës eksplozive në një mobileri në Durrës
Policia e Durrësit identifikoi dhe vuri në pranga një 33-vjeçar nga Kruja, i cili 4 ditë më parë, dyshohet se vendosi lëndë eksplozive në ambientet e jashtme të mobilierisë së një 48-vjeçari, në fshatin Rrashbull.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i dënuar më parë për krime në fushën e narkotikëve, është autor dhe i 2 shpërthimeve të tjera në këtë biznes, të kryera më datat 18 nëntor 2023 dhe 7 mars 2024.
Nga shpërthimet ka patur vetëm dëme të pjesshme materiale, ndërsa u sekuestruan 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin mobilieri të shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit A. Q., 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë.
Nga këto veprime dyshohet se në datat 18 nëntor 2023, 7 mars 2024 dhe 3 prill 2024, shtetasi A. Q. ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com