AktualitetPolitikëTë fundit

85-vjetori i pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Kurti: Lavdi heronjve që dhanë jetën për liri

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar pushtimin e Shqipërisë nga forcat italiane të regjimit fashist të Benito Musolinit, 85 vite më parë.

Kurti shprehet se në këtë përvjetor kujtohen viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë, që ranë në rezistencë ndaj pushtimit italian. Kurti shtoi se duhet që gjithmonë rreshtimi politik i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës të ruhet në anën e drejtë të historisë dhe të përkujtohen të gjithë dëshmorët e martirët e kombit shqiptar për të gjitha përpjekjet dhe luftërat e tyre për liri.

Në historinë moderne të shqiptarëve, data 7 prill 1939, është fiksuar si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Sot u bënë 85 vite nga ajo ditë.

Mes zhvillimeve që i paraprinë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ngjau ndërmjet aneksimit të Austrisë nga Gjermania më 12 e 13 mars 1938, të njohur edhe si Anschluß, dhe sulmit pushtues të Gjermanisë mbi Poloninë më 1 shtator 1939, kur edhe filloi Lufta e Dytë Botërore.

Në ora 05:30 të mëngjesit të 7 prillit të vitit 1939, plot 22,000 ushtarë italianë me anije luftarake dhe transportuese, me avionë dhe me tankse e sulmuan territorin e Mbretërisë së Shqipërisë në katër portet e saj kryesore: në Vlorë, Shëngjin, Durrës dhe Sarandë. E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku. Në mesditë, Durrësi ishte plotësisht në duart e italianëve. Tirana u mor mëngjesin e 8 prillit, kurse brenda tre ditësh trupat italiane arritën edhe në zonat më kufitare të territorit shqiptar.

Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria. Plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Dy vjet më pas, më 6 prill 1941 kur Gjermania e sulmoi dhe e pushtoi Jugosllavinë, shumica e territorit të Kosovës iu bashkua zonës italiane të pushtimit nën Mbretërinë e Shqipërisë. Historia e shqiptarëve gjatë atyre viteve të Luftës së Dytë Botërore, ka shumë zhvillime specifike që u takojnë historisë dhe historianëve t’i studiojnë dhe përshkruajnë. Ajo që përkujtojmë ne sot në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste.

Dekadat kanë kaluar dhe teksa vitet ecin do të bëhen shekuj nga këto ngjarje, por rreshtimi politik i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe i Kosovës, duhet ruajtur gjithmonë në anën e drejtë të historisë, për çka busulla më e sigurt është ajo gjilpëra e së cilës e tregon lirinë!

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar mes përkujtimesh dhe nderimesh për të gjitha përpjekjet dhe luftërat e tij për liri.

 

Fraksion.com