Mishin e Brazilit e shiti në Shqipëri për të Kosovës, AUVK ia ndalon eksportin kompanisë “Apetiti”
Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinës së produktit ushqimor, mish, nga kompania “Apetit”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK) ka marrë masa kundër kompanisë “Apetiti ‘Sh.P.K’, duke ia ndaluar eksportin e produkteve të mishit.
AUVK ka treguar se vendimi ka ardhur pasi u konfirmua se kompania në fjalë ka blerë mish nga Brazili dhe e ka shitur në Shqipëri si produkt me origjinë nga Kosova, së bashku me falsifikimin e dokumenteve në bashkëpunim të dyshimtë me inspektorë të shtetit.
“Është formuar komisioni profesional, i cili do të bëjë auditimin e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Do ta mbështesim njëra-tjetrën me të dhënat rreth të gjeturave që burojnë nga kontrollet e detajuara.
Pas dyshimit të ngritur për falsifikim të origjinës së produktit ushqimor (mish) nga Operatori Ekonomik Apetit sh.p.k., Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e lartcekur”.
Sipas agjencisë së ushqimit, çdokush i përfshirë në veprime të kundërligjshme do të përballet me masat ndëshkimore të përcaktuara me ligj.
“Si autoritet premtojmë transparencë të plotë me të dhënat pas kryerjes së gjurmimit. Po ashtu mbi secilën masë ndëshkimore që vendoset për secilën palë të përfshirë do paraqesim shkeljet nëse vërtetohen. AUV nuk do ta amnistojë asnjë punonjës për të cilin vërtetohet se ka bërë shkelje”.
Edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka folur pas raportimeve mbi dyshimet e manipulimit me dokumente për këtë rast.
Sipas ministrit, veprimet e menjëhershme kanë qenë dërgimi i inspektorit në një komision disiplinor dhe vendosja e një ndalese për eksport-import për operatorin ekonomik të përfshirë në këtë çështje.
“Ndaj këtyre dyshimeve serioze, është marrë vendimi për formimin e një komisioni profesional që do të merret me auditimin e thellë dhe gjurmueshmërinë e veprimtarisë së operatorit ekonomik,” tha Peci.
Ministri theksoi se ky komision do të përqëndrohet në verifikimin e përputhshmërisë së të gjitha hyrje-daljeve në fjalë, për të vërtetuar çdo dyshim të ngritur.
“…autoritete tjera relevante, përfshirë Doganat e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), janë njoftuar për situatën dhe janë angazhuar në kontrollin e tyre përkatës. Koordinimi dhe mbështetja reciproke në mes institucioneve është thelbësore për të siguruar që të gjitha veprimet e dyshimta të identifikohen dhe trajtohen me seriozitetin e duhur”.
Ministri u shpreh i vendosur se nëse dyshimet mbi manipulimin me dokumente zyrtare dhe mashtrimin konfirmohen, atëherë të gjithë individët e përfshirë – përfshirë operatorin ekonomik – do të përballet me pasojat përkatëse ligjore dhe administrative që dalin nga këto veprime.
Gazetari nga Kosova, Lirim Mehmetaj, lidhur me rastin ka shkruar se kjo kompani ‘paska lidhje aq të forta me shtet” saqë mishin e Brazilit e ka ‘zyrtarizuar’ si mish të Kosovës.
“Qyre more në çfarë shteti jetojmë Kompania “Apetit sh.pk” paska aq lidhje të forta në shtet, saqë mishin e ardhur nga Brazili e zyrtarizon si mish kinse të freskët të Kosovës dhe këtë e bën me dokumentacion zyrtar nga Agjencia Shtetërore e Ushqimit dhe Veterinarisë që është nën Ministrinë e Bujqësisë. Paramendojeni, veç ia heqin faturën që ka ardhë nga Brazili dhe ja vendosin këtë të Kosovës dhe kjo bëhet nga inspektorët e shtetit të Kosovës”.
Rastin e mishit fillimisht e kishte investiguar emisioni “Stop” në Tv Klan.
Ata kishin porositur 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit’. Sasia e filetos së viçit shkoi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës, duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit.
Po ashtu, sipas tyre, ‘Apetiti’, kishte falsifikuar edhe çmimin për të mos paguar detyrimet në bazë të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto viçi.
Fraksion.com