AktualitetTë fundit

Aksidenti në Këlcyrë, AMP: Policia i gjeti të vdekur rreth 3 orë pasi i kishte konstatuar dhe ndjekur

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka verifikuar veprimet e policisë lokale pas aksidentit tragjik në Këlcyrë, ku humbën jetën 7 emigrantë nga Pakistani dhe shoferi i makinës, nga Shkodra.

Burimet e Anila Hoxhës bënë me dije detaje nga ky raport, ku jepen të sakta oraret e veprimeve të policisë. Sipas raportit rreth orës 01:40 patrulla e Stacionit të policisë Këlcyrë ka konstatuar automjetin me të cilin po transportoheshin emigrantët e paligjshëm, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

Automjeti u konstatua se po lëvizte nga Përmeti në drejtim të Këlcyrës. Në momentin që drejtuesi i mjetit, Edison Bregaj konstatoi patrullën e policisë, u kthye me shpejtësi përsëri në drejtim të Përmetit.

Më pas rreth orës 04:20, në vendin e quajtur “Rripi i Kuqarit” kanë konstatuar gjurmë frenimi të forta mjeti dhe kanë zbritur për të kontrolluar përreth. Në këtë moment ata kanë zbuluar se 8 personat që ndodheshin në makinë kanë pësuar aksident dhe për pasojë ndërruan jetë.

Nga verifikimet e kryera mjeti i aksidentuar tip ‘benz’ me targë AA060OV, rezulton në pronësi të shtetasit Sokol Ismeti, banues në Pulaj, Velipojë, ndërsa Edison Afrim Bregaj, i datëlindjes 24.10.1999, ka qenë duke drejtuar automjetin, i cili ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në shtratin e lumit Vjosë, 100 metra poshtë rrugës.

 

Fraksion.com