AktualitetBota+Të fundit

OKB akuzon Rusinë për shkelje të të drejtave të njeriut në Ukrainë

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) akuzon Rusine për shkelje serioze të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe ligjeve humanitare në luftën e saj ndaj Ukrainës.

Një raport i fundit i këtij institucioni paralajmëron se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës do të ketë pasoja aftagjatë për Ukrainën dhe popullsinë e saj në një kohë kur vëmendja botërore mbi gjendjen kritike atje duket se po bie.

“Pavarësisht rasteve tejet shqetësuese të vuajtjes së përditshme njerëzore në Ukrainë, druaj se bota është bërë indiferente ndaj krizës”, tha Volker Türk, Komisioneri të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Në një vlerësim shqetësues për situatën, zoti Türk i tha Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut se “u bënë 2 vjet që kur Federata Ruse nisi sulmin e armatosur në shkallë të gjerë ndaj vendit (Ukrainës). Dy vjet vuajtje të pafundme, gjakderdhje, humbje dhe pikëllim. Shumë familje janë ndarë”.

Ai vuri në dukje se është raportuar se më shumë se 10,500 civilë janë vrarë ndërsa më shumë se 20,000 janë plagosur.

“Të dhënat aktuale ka të ngjarë të jenë më të larta”, tha ai.

Raporti, që përfshin periudhën nga 1 dhjetor 2023 deri në 29 shkurt të këtij viti thotë se sulmet ajrore ruse vazhdojne të shkaktojë dëme masive ndaj civilëve.

Ai thotë se këto sulme në gjithë Ukrainën po shkaktojnë rritje të viktimave civile, “duke përmbysur prirjen për rënie të numrit të viktimave civile përgjatë vitit 2023”.

Këtë vit shënohen 10 vjt që nga aneksimi i paligjshëm i Gadishullit të Krimesë nga Rusia, një periudhë në të cilën njerëzit në Krime “janë akuzuar dhe dënuar për akte që nuk përbëjnë vepër penale sipas ligjeve ukrainase”, thuhet në raport.

“Shtetësia ruse është imponuar gjerësisht,” tha zoti Türk. “Autoritetet ruse kanë rekrutuar burrat e Krimesë në forcat e armatosura ruse, duke i detyruar të luftojnë kundër vendit të tyre”.

Ai tha se fëmijëve ukrainas u është hequr arsimi në gjuhën mëmë dhe njerëzve u është mohuar e drejta për të shprehur lirisht mendimin.

Në periudhën që mbulon raporti, zyrtarë të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut morën në pyetje 60 të burgosur ukrainas lufte të cilët u liruan gjatë një shkëmbimi të robërve të luftës. Ata thane se robërit e luftës dhanë informacione të besueshme dhe detaje se ishin torturuar, rrahur, kërcënuar se do të vriteshin dhe se ndaj tyre ishte abuzuar seksualisht.

Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka regjistruar 12 raste ekzekutimi të së paku 32 robërve ukrainas. Zyra ka verifikuar tre nga këto incidente, në të cilën shërbimet ruse ekzekutuan shtatë pjesëtarë të shërbimit ukrainas.

Komisioneri i Lartë i bëri thirrje Rusisë për armëpushim.

Rusia bojkotoi mbledhjen dhe informoi presidentin e Këshillit se “nuk donte të mbante fjalim”.

Ambasadori i Ukrainës në zyrën e OKB-së në Gjenevë, Filipenko Yevheniia akuzoi Rusinë për shkelje sistematike të të drejtave thelbësore dhe lirive në Krime dhe në rajonet e pushtuara në Donbas dhe territore të tjera ukrainase.

Ambasadori ukrainas i bëri thirrje vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara të “dënojnë sulmet terroriste të Rusisë dhe t’i dërgojnë një mesazh të qartë Kremlinit se komuniteti ndërkombëtar nuk po mbyll një sy për sulmin ndaj një shteti të pavarur, vrasjes së civilëve dhe shkatërrimit të infrastrukturës kritike”./VOA

 

Fraksion.com