AktualitetKosovaTë fundit

Kurti: Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës është çështje urgjente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar me urgjencë dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Prandaj, Kurti u ka bërë thirrje të martën të gjithë qytetarëve që t’i përgjigjen pozitivisht procesit të regjistrimit të popullsisë – që zhvillohet prej 5 prillit deri më 17 maj të këtij viti – pasi për herë të parë, aty është përfshirë pyetësori për të dokumentuar dëmet nga lufta në ekonomitë familjare.

“Nuk kemi mangësi vetëm te shpërputhja e të dhënave, por thjesht edhe te mungesa e tyre”.

Ai ka thënë se në kaudër të procesit të regjistrimit, pyetësori do t’iu mundësojë qytetarëve që të dëshmojnë për pronat e shkatërruara, për dëmet në familjarë, qofshin ata të vrarë, të plagosur apo të zhdukur në periudhën 28 shkurt 1998 deri më 12 qershor 1999.

“Është urgjente çështja e adresimit të krimeve të kryera gjatë luftës, sidomos për shkak se me kalimin e viteve jemi duke i humbur dëshmitarët. Dëshmitë janë aty, mirëpo jemi duke i humbur dëshmitarët, sepse u bë çerekshekulli nga lufta e fundit në Kosovë”.

Në luftën e fundit në Kosovë, forcat serbe kanë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe mbi 6.000 vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Sipas Kurtit, hetuesit e krimeve të luftës kanë intervistuar vitin e kaluar 191 dëshmitarë të krimeve që kanë parë gjatë luftës, ndërsa, sipas tij, pas rritjes së kapaciteteve të hetuesve këtë vit, është arritur të intervistohen 169 dëshmitarë.

Kurti pati thënë edhe muaj më parë se “Kosova ende nuk e di dëmin ekonomik, emocional dhe psikologjik që ia ka shkaktuar lufta e fundit.

Ai i pati bërë këto deklarata në prag të themelimit të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore./REL

 

Fraksiin.com