AktualitetTë fundit

Sekuestrohen pasuritë e të afërmve të Gëzim Çelës, dyqan e apartamente, llogari bankare e 12 makina

SPAK ka sekuestruar pasuritë e familjarëve të baronit të drogës, Gëzim Çelës. Në sekuestro janë vënë pasuritë e ish-gruas së Çelës, Miranda Thardorit, si edhe pasuritë e të vëllait Naim Çelës, dhe të një ortaku, të cilat dyshohet se janë vënë nga trafiku i drogës. Në sekuestro janë vënë apartamente, 12 makina, llogari bankare e një shoqëri tregtare.

Ish-bashkëshortes së Çelës, i janë vënë në sekuestro 1 dyqan dhe 2 apartamente me vlerë mbi 400 mijë euro. Dyqani i sekuestruar në Tiranë, ka vlerën 321 120 Euro, ndërsa po ashtu dy apartamentet ndodhen në kryeqytet, konkretisht me vlerat 40 000 Euro dhe 42 200 Euro.

Ndërkohë, Naim Çelës, i vëllai i ‘baronit të drogës’, i janë sekuestruar 2 automjete, një BMW dhe furgon i markës Mercedes Benz. Po ashtu në sekuestro i janë vënë edhe dy llogari bankare me vlerë, 4.7 mln lekë e 57 mijë euro.

Ndërkohë, ortakut të Gëzim Çelës i është sekuestruar një shoqëri tregtare me të gjitha asestet, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe 10 automjete. Bëhet fjalë për shtetasin G.GJ, i cili është pjesë e grupit të Çelës, si edhe i afërm i Arlind Ismailukaj, ish punonjës policie.

Këto pasuri dyshohet se janë vënë nga aktiviteti kriminal i grupit të Gëzim Çelës dhe për këtë arsye janë sekuestruar, pasi dyshohet se ‘baroni i drogës’ i ka fshehur në emër të familjarëve dhe të afërmve të tij.

Pasuritë e sekuestruara
1. Pasurisë së llojit “Njësi Tregëtare”, me sipërfaqe 237 m2, në pronësi të shtetases Miranda Thardori, e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 321 120 Euro (sipas kontratës së porosisë së datës 18.02.2008);
2. Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 74 m2, në pronësi të shtetases Miranda Thardori , e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 42 200 Euro;
3. Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe totale 77, 2 m2 në pronësi të shtetases Miranda Thardori, e ndodhur në Tiranë, me çmim shitje 40 000 Euro;
4. Automjetit BMW X3 3.0D, në pronësi të shtetasit Naim Çela.;
5. Automjetit furgon i markës Mercedes Benz, Tipi 639, Modeli Vito 109 CDI, në pronësi të subjektit Naim Çela.;
6. Shuma monetare në total prej 4 576 585 Lekë, në llogaritë bankare të shtetasit Naim Çela;
7. Shuma monetare në total prej 57 219 Euro, përkatësisht në llogarinë bankare të shtetasit Naim Çela. dhe e sekuestruar CASH shtetasit Gëzim Çela;
8.  Subjektin “X…….” sh.p.k., me administrator dhe ortak të vetëm shtetasin G.Gj, të gjitha asetet e tij, si pasuri të paluajtshme, pasuri të luajtshme, llogari bankare etj, duke përfshirë dhe pasuritë e luajtshme, automjetet si më poshtë vijon:
· Volkswagen Golf, prodhim i vitit 2015;
· B.M.W., prodhim i vitit 2011;
· Volkswagen, prodhim i vitit 2006;
· Audi, prodhim i vitit 2007;
· B.M.W., prodhim i vitit 2004;
· Fiat “Doblo”, prodhim i vitit 2014;
·Mercedez Benz, prodhim i vitit 2010;
·Daimler Chrysler, prodhim i vitit 2007;
·Volkswagen Golf, prodhim vitit 2009;
· Volkswagen Golf Tdi, prodhim i vitit 2016
Fraksion.com