SHBA-Izrael planifikojnë bisedime për ofensivën në Rafah
Pas anulimit të vizitës nga kryeministri Netanjahu tani një delegacion izraelit pritet të shkojë në Uashington për të diskutuar në lidhje me ofensivën e Izraelit në Rafah. SHBA-ja e kundërshton ofensivën e Izraelit.
Përfaqësues të SHBA dhe Izraelit takohen me gjasë të hënën në Uashington për të zhvilluar bisedime në lidhje me ofensivën tokësore që ka planifikuar Izraeli në Rafah, Rripin e Gazës.Delegacioni izraelit do të duhej të udhëtonte një javë më parë në Uashington për të dëgjuar shqetësimet e SHBA dhe alternativat lidhur me ofensivën. Por kreu i qeverisë izraelite, Benjamin Netanjahu e anuloi udhëtimin pasi Këshilli i Sigurimit të OKB-së, pa kundërshtimin e SHBA-së miratoi një rezolutë me kërkesën për një armëpushim të menjëhershëm.
Izraeli ka propozuar shtyrjen e bisedimeve për të hënën (01.04.) ka njoftuar televizioni CNN duke cituar funksionarë të lartë amerikanë. Përcaktimi i datës së takimit është vështirësuar nga një ligj i ri që qeveria izraelite do duhet të përpunojë deri të dielën, në të cilin bëhet fjalë për detyrimin e rekrutimit të burrave besimtarë hebrenj, ultraortodoks, shkruan agjencia e lajmeve, dpa. Këta prej kohësh janë të liruar nga detyrimi për rekrutimin ushtarak. Prandaj është ende e paqartë, nëse delegacioni izraelit do mund të udhëtojë të hënën në Uashington, bëri të ditur CNN.
Qeveria izraelite nën presion
Megjithë kritikat për ofensivën e Izraelit në Rafah, sipas të dhënave nga qarqe të brendshme amerikane, SHBA ka vendosur t’i japë Izraelit furnizime miliardash në armatim. Paketa e re ushtarake amerikane përmban avionë luftarakë dhe më shumë se 2300 bomba, shkruan portali gjerman i lajmeve të ARD-së, tagesschau. Mbi këtë miratim armatimesh kishte raportuar më parë “Uashington Post”, por zyra e presidentit Biden nuk dha asnjë prononcim.
Qeveria e Izraelit ndodhet në presion për shkak të luftës në Gaza t’i japë fund çlirimit nga detyrimi i rekrutimit ushtarak për komunitetin ultraortodoks hebraik. Ligji që lejon këtë skadoi në fundin e vitit të kaluar. Që atëherë ka një rregullore të përkohshme, që është në fuqi deri të dielën. Qeveria e Izraelit, ku marrin pjesë edhe parti ultrabesimtare, po punon për një ligj të ri me masa të posaçme. Netanjahu ka kërkuar në Gjykatën e Lartë një zgjatje të afatit për përpunimin e ligjit./dw
Fraksion.com