Kulla Garisenda në Bolonjë, 48 metra e lartë, u ndërtua në shekullin e 12-të, gjatë lulëzimit historik të këtij qyteti verior italian, por dy shekuj më vonë filloi të anonte. Sot është anuar në një kënd prej katër gradësh, pak më shumë se Kulla e Anuar e Pizës, e cila është e anuar në një kënd prej 3.9 gradësh, shkruan CNN.

Kulla është anuar aq shumë, sa shqetësimi se mos shembet po rritet dita ditës. Ndaj, është hartuar një plan për ta shpëtuar me ndihmën e pajisjeve që ndihmuan në mbështetjen e kullës së famshme të Pizës.

Në fund të vitit të kaluar, rrugët përreth Garisenda u mbyllën përkohësisht, ndërsa shkencëtarët monitoruan ndërtimin e kullës, duke kërkuar prova të zhvendosjes dhe plasaritjes së saj, duke arritur në përfundimin se ishte në rrezik shembjeje.

Kryetari i bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, njoftoi të enjten se shtyllat dhe kabllot, të përdorura për Kullën e Pizës, do të përdoren bashkë me skelat prej çeliku, për të parandaluar shembjen e kullës.

Ai bëri të ditur se në vitin 2025 dhe 2026 do të ndërmerren punë të mëtejshme për forcimin dhe restaurimin e kullës, e cila nuk është planifikuar ende.

Fraksion.com