AktualitetPolitikëTë fundit

Blerina Bala zgjidhet kryetare e komanduar e Bashkisë së Himarës

Këshilli Bashkiak e zgjedh me shumicë votash mes tensionesh

10 muaj nga zgjedhjet vendore dhe 4 ditë nga dorëheqja e Jorgo Goros, Këshilli Bashkiak i Himarës votoi mes tensionesh kryetaren e re të komanduar.

Me 15 vota pro dhe 4 kundër, Këshilli vendosi që Blerina Bala të ushtrojë detyrat e kryebashkiakes deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Socialistët dhe aleatët e tyre kanë 13 vota në Këshillin Bashkiak dhe për Balajn rezulton të kenë votuar edhe deputetë të koalicionit të djathtë.

Votimi u parapri nga tensione të mbështetësve të kryetarit të zgjedhur Fredi Belerit dhe opozitës, të cilët refuzuan praninë e Prefektit të Vlorës Vangjel Tavo dhe drejtuesit politik të Partisë Socialiste Blendi Klosi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Kundër Tavos u lëshuan pështyma e thirrje në gjuhën greke.

U desh ndërhyrja e efektivëve të policisë bashkiake dhe forcave të rendit për ta nxjerrë Prefektin nga salla pa u sulmuar.

Për shkak të përplasjeve mbledhja u spostua në ambientet e godinës së Bashkisë, ndërsa përkrahës të Fredi Belerit e cilësuan farsë komandimin e Blerina Balës.

Prefekti Tavo tha se interesat e komunitetit himariot janë marrë peng nga interesa të vogla.

“Kjo është një stuhi në gotë dhe si e tillë do të marrë fund shpejt”.

Komandimi i Blerina Bales në krye të Bashkisë së Himarës vjen pas dorëheqjes së Jorgo Goros, i cili u arrestua nga SPAK-u me akuzën e shpërdorimit të detyrës për tjetërsimin e dy pronave.

Ndërkohë Fredi Beleri, i cili në 14 Maj u zgjodh kryetar i Bashkisë vuan në burg dënimin me 2 vite heqje lirie për veprën penale të blerjes së votave.

Fraksion.com