AktualitetPolitikëTë fundit

Tregu i punës nevojë për zanatçinj, arsimi profesional, Balluku: 30 shkolla nga Kukësi në Sarandë

Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë sot në konferencën kombëtare për arsimin dhe formimin profesional (AFP) 2024, që po zhvillohet në Tiranë “Aftësi për Pjesëmarrje në Tregun e Punës dhe Profesionet e së Ardhmes”.

Në fjalën e saj Balluku tha se “ne kemi bërë një punë të mirë për sa i përket arsimit profesional. Nga viti 2015, ku ishin dedikuar në buxhetin e shtetit 12.2 milionë, sot kemi arritur t’i dedikojmë në buxhetin e vitit 2024, 33 milionë”.

“Fakti që ne sot kemi nisur një proces të gjerë për të identifikuar të gjithë infrastrukturën e arsimit profesional, për të identifikuar të gjithë laboratorët, konviktet dhe gjithçka tjetër duhet të jetë në shërbim të studentëve sepse ne mund të predikojmë gjithë ditën dhe të themi që tregu ka punë, që ju duhet të lini arsimin e përgjithshëm dhe të vini në arsimin profesional, por nëse infrastruktura nuk është e duhur, nëse shkolla, klasat, laboratorët, konviktet nuk janë ato që duhet të jenë për fëmijët, atëherë si do zgjedhin këta fëmijë që të shkojnë atje”, theksoi Balluku.

Balluku tha se “ne flasim, duam që t’i tërheqim nxënësit, por ata mendojnë që është më mirë që të shkojnë në një gjimnaz të përgjithshëm, pasi do kenë mundësi që të bëhen juristë apo ekonomistë. Por sot ka ardhur koha që vetë ju, të rinjtë dhe të rejat, të keni mundësi dhe të analizoni tregun. Ku mund të kontribuoni më shumë dhe në qoftë se ju shkoni në një shkollë profesionale për elektricistë, ju nesër keni mundësinë për t’u bërë inxhinier, për të ndjekur elektronikën, për të ndjekur mekanikën dhe për të ndjekur edhe sot shkencat e avancuara siç është teknologjia e informacionit”.

Sot, vijoi Baluku, ne kemi 30 shkolla të shpërndara nga Kukësi deri në Sarandë, të cilat, një pjesë e tyre kanë përfituar nga investimet e qeverisë dhe të donatorëve, por që tashmë kjo do të shtrihet në secilën nukël ku ne kemi shkollat profesionale.

“Gjithashtu, duhet pasur parasysh që shkollat profesionale për ne bëjnë pjesë edhe në politikën e Qeverisë për rijetësimin e zonave rurale. Aty ku ne kërkojmë që banorët e zonës të kenë një arsye për të vazhduar jetën duke mos abandonuar fshatin për të ardhur në Tiranë apo nga ana tjetër duke identifikuar se çfarë veçorie kanë këto zona rurale dhe sesi këto zona rurale mund të përdoren si nukla të mirëfillta ekonomike dhe jo vetëm bazuar në bujqësi”, theksoi Balluku.

Fakti, shtoi Balluku, që ka kaq shumë të rinj këtu sot dhe kjo është edhe më e rëndësishme sepse për ju flitet, ju do të merrni përfitimet nga ky sektor, ju do të merrni përfitimet nga kjo politikë e qeverisë, tregon se tashmë jemi në rrugën e duhur.

“Tregon se tashmë jemi të gjithë të qartë edhe ne që duhet të bëjmë më të mirën, duhet të bëjmë më shumë për arsimin profesional, për infrastrukturën shkollore të arsimit profesional dhe atë akomoduese, edhe sektori privat që ndodhet këtu me ne, edhe përfaqësuesit e të gjitha organizmave që kontribuojnë në këtë fushë, por mbi të gjitha ju që do të jeni përfituesit. Kështu që tregon që tashmë jemi të gjithë të qartë, tregu i punës ka nevojë për arsimin profesional. Kapitali njerëzor është ajo çka ne kemi më të vyer dhe më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë pasi me të vërtetë kur ne angazhohemi, dimë të bëjmë më të mirën për vendin tonë dhe për secilin”, tha Balluku.

Më tej Balluku u shpreh se “është shumë e rëndësishme sot të kuptohet që vendi ynë ka arritur një maturi të tregut ekonomik. Sot ka fusha të mirë definuara, të cilat janë të gatshme të akomodojnë të rinjtë dhe të rejat që dalin nga shkollat profesionale, siç është turizmi, tashmë i konsoliduar. E kemi kaluar provën e zjarrit vitin e kaluar me mbi 10 milionë vizitorë. Mikesha ime dhe kolegia ime Mirela Kumbaro si zonjë e shtëpisë për shkak të portofolit që mban pret 14 milionë vizitorë në vitin 2024, të cilët duhet të shërbehen nga një industri turistike e cila do të ketë vitin e parë të show-t, sepse vjet për mua dhe për të gjithë ne ishte një provë gjenerale”.

Nga ana tjetër, vijoi Balluku, një sektor i konsoliduar është ai i bujqësisë.

“Bujqësia dhe blegtoria ka qenë gjithmonë e rëndësishme për vendin tonë, mban një pjesë dhe një përqindje të rëndësishme të prodhimit bruto vendas, por nga ana tjetër bujqësia nuk është siç ka qenë më parë. Sot nuk punohet bahçja, sot duhet të bashkohen forcat. Sot një treg në rritje kur eksportet kanë arritur mbi 500 milionë në vit dhe me synimin e pastër që të arrijmë 1 miliard eksporte deri në 2030 duhet që blegtorët, bujqit të bashkohen në forma të një korporate bujqësore për të prodhuar kështu sasi më të mëdha. Sasi më të mëdha të varieteteve të njëjta. Pra nuk mundet më që në treg të ketë domate të tipeve të ndryshme, nuk mundet më që në treg të ketë fasule të tipeve të ndryshme, pasi sot kompanitë dhe pikat e grumbullimit kërkojnë sasi të mëdha për tregun e  Ballkanit, por edhe të Europës”, theksoi Balluku.

Balluku tha se “kemi arritur gjatë vitit të kaluar të depërtojmë me prodhimet e zonës së Divjakës dhe të gjithë pjesës së Myzeqesë deri në supermarketet e Zvicrës. Përmend supermarketet e Zvicrës, pasi kanë kërkesa edhe më të larta se vetë Bashkimi Europian përsa i përket produkteve bio”, tha Balluku.

Fraksion.com