AktualitetKosovaTë fundit

Kosova kalon hapin e parë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës

Komisioni për politikë dhe demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miratoi të mërkurën raportin për Kosovën, duke u hapur rrugën hapave të ardhshëm drejt anëtarësimit në këtë Këshill.

Me 31 vota për, katër vota kundër dhe një abstenim, komisioni rekomandoi që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Pas vendimit të sotëm të Komisionit, Asambleja parlamentare pritet të votojë gjatë muajit prill ndërsa vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Ksovës pritet në muajin maj në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, shkroi në rrjetet sociale se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës në prill të vitit 2022.

Procesi ishte bllokuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Dy javë më parë qeveria e Kosovës njohu pronën prej rreth 24 hektarësh të manastirit, duke i hapur rrugën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë këshill dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të saj nëse Kosova bëhet anëtare, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët zotohen se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Këshilli i Evropës, themeluar në 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë/voa

 

Fraksion.com