AktualitetTë fundit

Tritoli në banesën e 62-vjeçares në Shkodër, shkak dyshohet të jetë biznesi i të birit

Policia e Shkodrës dyshon se tritoli ndaj banesës së 62-vjeçares një ditë më parë në Shkodër, mund të jetë biznesi i të birit. Korrespondentja e Klan News, Emi Kalaja raporton se kjo është pista kryesore e hetimit nga ana e grupit hetimor të Policisë së Shkodrës.

Dyshohet se i biri i 62-vjeçares, nëpërmjet kompanisë së internetit mund të jetë i përfshirë në mirëmbajtjen e serverave online të kompanive të basteve çka mund të jetë edhe shkaku i vendosjes së tritolit pranë banesës së tyre një ditë më parë në orët e para të mëngjesit.

Një ditë më parë, Frida Sala dhe i biri, D.Sala janë marrë në pyetje nga oficerët e policisë së Shkodrës ku kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me persona të tjerë.

“E vetmja punë që bëj është ajo në një kompani interneti dhe nuk kam lidhje me asgjë tjetër. Nuk e di kush mund të jenë autorët pasi nuk kam asnjë konflikt”,mësohet të ketë thënë djali i 62-vjeçares në Policinë e Shkodrës.

Grupi hetimor ka përjashtuar pistën për shkak të detyrës së 62-vjeçares e cila punon në doganën e Hanit të Hotit, duke u përqëndruar tek aktiviteti i të birit.

Fraksion.com