SPAK i komunikon akuzat Ahmetajt: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-ministrin Arben Ahmetaj dhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, dhe u ka komunikuar nëpërmjet avokatëve akuzat për dosjen, e cila rrjedh nga hetimi për inceneratorin e Elbasanit.
Ndaj Ahmetajt rëndon akuza e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, teksa ndaj dy biznesmenëve, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave. SPAK u ka komunikuar akuzat avokatëve të tyre, pasi Ahmetaj, Mërtiri dhe Zoto janë në kërkim nga policia.
Për të njëjtën dosje pritet që SPAK të marrë si të pandehur edhe persona të tjerë, teksa ka ndarë hetimet në një procedim tjetër. Ish-ministri u shpall në kërkim në Korrik të një viti më parë pas një hetimi të nisur në Shkurt të të njëjtit vit.
Në Shkurt bazuar në një kallëzim dhe disa të dhëna të dala nga kompjuteri i biznesmenit Klodian Zoto dhe një telefon i vjetër sekuestruar Ahmetajt, SPAK zgjeroi hetimet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.
Fraksion.com