Ujdia me Kushnerin: Mospajtime në Beograd për objektin e bombarduar nga NATO
Serbët në Beograd dhe përkujtuesit e luftërave ballanike në vitet ’90, po i përgjigjen me ftohtësi fjalës së zyrtarët serbë janë befas në bisedime të avancuara me dhëndrin e Donald Trumpit, Jared Kushner, për ta rindërtuar njërin prej simboleve më të njohura të bombardimeve të Perëndimit mbi caqet serbe.
Ndërtesa e braktisur e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në qendër të Beogradit ishte goditur nga dy bombardime në prill dhe në maj 1999, gjatë 78 ditëve të bombardimit të Jugosllavisë nga NATO-ja për t’i dhënë fund dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë.
Megjithëse ka pasur debate sporadike në dekadat e fundit për transformimin e kësaj zone, ndërtesat e ish-Shtabit të Përgjithshëm kanë mbetur kryesisht të pandryshuara si përkujtim për shumë serbë për paragjykimet e perceptuara kundër kauzës së tyre kombëtare në një udhëkryq të errët historik.
“Pse duhet të falet?” tha Zhivko Nedeljkoviq për Radion Evropa e Lirë (REL) javën e kaluar, pas lajmit për marrëveshjen e mundshme me Kushnerin.
Ai tha se kishte marrë pjesë në protesta kundër bombardimeve të NATO-s gjatë luftës, edhe pse ai nuk arrin ta kujtojë natën kur ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm u godit. Ai tha se e kundërshton projektin e Kushnerit, sepse beson se kjo nënkupton t’ia falesh pronën të huajve.
“Duhet ta lëmë si monument historik dhe kulturor, që ta shohin të gjithë se çfarë na bëri [NATO]”, tha Nedeljkoviq.
Numri i viktimave nga fushata e NATO-s dallon shumë. Administrata e liderit të ndjerë jugosllav dhe serb, Sllobodan Millosehviq, pretendoi se përveç rreth 900 trupave dhe policëve serbë, nga bombardimet u vranë rreth 5.000 civilë.
NATO-ja vlerëson se u vranë rreth 500 civilë.
Perspektivat e ndryshme për ngjarjet e luftës, përfshirë për bombat perëndimore që kanë rënë në kryeqytetin serb, mbesin aspekte integrale të identitetin kombëtar serb dhe një irritues i madh i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, një ligjvënës radikal nacionalist në vitet ’90 që shërbeu si ministër qeveritar derisa u rrëzua Millosheviqi më 2000, ka thënë se është “i kënaqur” me marrëveshjen e mundshme me Kushnerin.
Ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm dhe ndërtesat ngjitur të Ministrisë së Mbrojtjes janë në një listë për mbrojtjen e trashëgimisë, ndërsa tokat nën to i takojnë Qeverisë. Instituti i Beogradit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka thënë se nuk e ka marrë asnjë dokument që propozon ndryshimin e këtij statusi.
Vuçiqi është zotuar për transparencë të plotë për çfarëdo plani për këtë zonë, por plani i autoriteteve serbe për projektin e ardhshëm me Kushnerin u bë i ditur vetëm pasi një deputet opozitar zbuloi pjesë të tij.
Kushner është i martuar me vajzën e Trumpit, Ivanka, dhe është përqendruar në projekte zhvillimore dhe investuese prej se Trumpi i humbi zgjedhjet presidenciale më 2020, përfshirë përmes kompanisë të quajtur Affinity Partners. Trumpi pritet të garojë kundër presidentit demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit.
Më 13 mars, deputeti opozitar Aleksandar Jovanoviq e nxori një dokument qeveritar në një konferencë për media, ku tha se ministri i Kushtetutës, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, e kishte nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me një kompani të quajtur Kushner Realty LLS, edhe pse theksoi se memorandumi nuk ishte ligjërisht i detyrueshëm.
Dokumenti, i parë nga Radio Evropa e Lirë, e autorizon Vesiqin ta nënshkruajë një marrëveshje investimi në përputhje me memorandumin e nënshkruar.
Të nesërmen, Vesiq tha përmes faqes në Instagram të Partisë Progresive (SNS), se kishte marrë “autorizim nga Qeveria” por se Qeveria do ta njoftonte publikun “kur dhe nëse, në bazë të atij autoriteti, nënshkruhet një memorandum, apo akte të tjera”.
Vesiq nguli këmbë se “prej vitit 2000, të gjitha qeveritë serbe kanë tentuar ta ringjallin kompleksin e Shtabit të Përgjithshëm”, por se “na mbeti neve ta zgjidhim këtë problem”.
Mbase i nxitur nga raportimi i gazetës amerikane New York Times për shpresat e Kushnerit për të investuar në Serbi dhe në Shqipëri, Kushneri shpërndau fotografi të “dizajnëve fillestare” për planet e tij në rrjetet sociale më 15 mars.
Ndërkohë, ai i tha gazetës se kompania e tij investuese është “goxha afër” finalizimit të marrëveshjeve në Serbi dhe Shqipëri.
Sipas një shkrimi në gazetën New York Times, planet e Kushnerit në Ballkan duket se kanë lindur pjesërisht përmes marrëdhënieve të ndërtuara gjatë kohës kur Trump ishte në detyrë. I dërguari i posaçëm i administratës Trump për rajonin, Richard Grenell, i kishte nxitur zyrtarë serbë t’i shqyrtonin investimet amerikane për një projekt në zonën e ish-Shtabit të Përgjithshëm më 2020.
Gazeta amerikane sugjeroi se marrëveshja për 1.500 banesa luksoze dhe një hotel në qendër të Beogradit përfshin një investim 500 milionë dollarë dhe një qira 99-vjeçare “pa pagesë”, me shtetin serb që do t’i merrte 22 për qind të fitimeve.
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Zdravko Ponos, e akuzoi Vuçiqin se “po investon në të ardhmen e vet politike” dhe tha se një marrëveshje që e lejon kontrollin mbi këtë zonë nënkupton dorëzimin e “xhevahirit të familjes”.
“Ai po fal diçka që mund të cilësohet si xhevahir familjar i këtij vendi”, tha Ponos për Radion Evropa e Lirë.
“Sepse, këto ndërtesa dhe ky vend, posaçërisht ndërtesa e vjetër e Shtabit të Përgjithshëm, është xhevahir familjar”.
“Mundësi punësimi, rritje ekonomike”
Administrata e Trumpit 2017-2021 i mënjanoi trysnitë shumëvjeçare amerikane dhe evropiane që kishin për qëllim arritjen e një përparimi të madh në zgjidhjen e telashit më të madh diplomatik në Ballkan – mosnjohja e Kosovës nga Serbia – në favor të “përqendrimit në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes ekonomike”.
Grenelli ishte përfaqësues publik i atyre politikave, të cilat mbështetësit i cilësonin si përparim i rrallë. Këto politika u cilësuan nga kritikët si kërcënim për marrëdhëniet afatgjate me Prishtinën dhe për shkaktimin e rënies së Qeverisë së Kosovës.
Vuçiqi i uroi Trumpit “fat të madh” para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe nga disa është cilësuar si një aleat i heshtur i Trumpit.
Avokati veteran kundër korrupsionit dhe drejtori i Programit Transparency International, Nemanja Nenadiq, tha për REL-in se ka shumë pyetje për procesin e një kontrate të tillë.
Ai ka se ka mundësi që përfshin një partneritet publiko-privat në një sipërmarrje të përbashkët, apo përdorimin e pronës shtetërore në këmbim të përfitimeve publike. Por, në atë rast, Nenadiq, sugjeroi se një proces i ankandit formal duhet t’i paraprijë çfarëdo marrëveshjeje ligjërisht detyruese.
Ai theksoi se autoritetet e quajtën projektin kontrovers miliardadollarësh për rindërtimin urban në Beograd si të rëndësisë së veçantë për Serbinë dhe për kryeqytetin, në mënyrë që ta shmangnin të ashtuquajturën doktrinën “lex specialis”, duke ia mundësuar vetes ta mënjanonin tenderin publik.
Dokumenti qeveritar, i parë nga REL-i, rekomandon shpalljen e projektit të Kushnerit si projekt i rëndësisë së veçantë gjithashtu.
Branisllav Dimitrojeviq, historian i artit dhe anëtar i partisë opozitare Fronti e Majta e Gjelbër, argumentoi se ndërtesat duhet ose të kthehen në gjendjen e mëparshme, ose të ruhen si monumente.
Lëreni siç është, në mënyrë që të mos harrojmë”, tha Ranka, banore e kamotshme e Beogradit, e cila kërkoi që emri i saj të mos bëhej publik. Ajo kishte ikur në kryeqytetin serb nga Bosnja e Hercegovina gjatë luftës së Bosnjës më 1992, tha ajo për REL-in.
“Këtë e përjetova më tragjikisht se luftën në Bosnjë”, tha ajo.
Një pensionist nga Beogradi, i quajtur Vojisllav, tha se ideja më e mirë do të ishte që shteti ta shndërronte këtë zonë në ndërtesa banimi, por ta përfshijë edhe një memorial gjithashtu, dhe madje të përfshijë edhe krah si në memorialin e Qendrës Botërore Tregtare në Nju Jork Siti.
Vuçiqi ka thënë në të kaluarën se projektet e ardhshme do të përfshinin “një lloj muzeu të viktimave, sepse ne nuk do ta fshehim atë çfarë ka ndodhur”.
Javën e kaluar, New York Times e citoi Grenellin të ketë thënë se projekti i Kushnerit është mundësi për “ta shndërruar një simbol të konfliktit të kaluar në një urë miqësie dhe rindërtimi”.
Gruia Badescu, hulumtues i historisë së Evropës Lindore në Universitetin Konstanz, me fokus në rrënimet, rindërtimet dhe kujtesën e luftërave të viteve ’90 në Ballkan, ka hulumtuar thellësisht për ndarjet përreth ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.
Ai tha për REL-in se Institutin për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore e kishte kapur një “panik” aq i madh se ajo do të shkatërrohej për rizhvillim, saqë e futi atë në listë si një zonë e trashëgimisë kombëtare, sepse ishte mbase ndërtesa më e rëndësishme e arkitektit modern të Jugosllavisë dhe planifikuesit urban, Nikolla Dobroviq.
“Memorial i rëndësishëm joformal”
Futja e saj në listë më 2005 i dha fund planeve të mundshme të rizhvillimit për këtë zonë, tha Badescu.
“Pra, kjo mbeti një kujtim i rëndësishëm, një rrënojë e rëndësishme dhe u bë… memoriali më i rëndësishëm joformal i bombardimeve të NATO-s”, tha Badescu.
Për këtë arsye, tha ai, pret që publiku i përgjithshëm ta kundërshtojë rizhvillimin e zonës.
“Në njërën anë, do ta kishte fshirë një kujtesë universale e cila i bashkon ata. Njerëzit në Beograd, pavarësisht çfarë pozite kishin në vitet ’90, a ishin me Millosheviqin apo kundër tij – dhe mbajeni mend, Beogradi ishte goxha kundër Millosheviqit – ata i dënuan bombardimet e NATO-s”, tha Badescu.
Ai tha se përfshirja e një muzeu të viktimave mund t’i qetësojë disa, por mund të jetë problematik. Për dallim nga bombardimi i ndërtesës së Radio Televizionit të Serbisë, tha ai, edhe pse raportime të pakonfirmuara thanë se dy burra mund të jenë vrarë në afërsi, askush nuk është vrarë brenda ndërtesës së papërdorur të Shtabit të Përgjithshëm.
Për më tepër, Badescu tha se disa njerëz mund ta cilësojnë një ish-ndërtesë ushtarake, ku janë planifikuar operacionet në vitet ’90, si vend të papërshtatshëm për një muze për viktimat e luftës.
Derisa lufta shihej si një institucion jugosllav për unitet etnik gjatë sundimit të Josip Titos, tha ai, mendimet e shumë njerëzve në ish-Jugosllavi ndryshuan gjatë dhunës së viteve ’90.
Ai po ashtu ngriti pyetje nëse muzeu të cilit iu referua Vuçiqi do të ishte muze historik që eksploron kompleksitetin e viteve ’90 dhe rolin e Serbisë, apo “një muze përkujtimor në të cilin ju thjesht flisni për viktimizim dhe e fajësoni Perëndimin”.
“Mendoj se kjo do të ishte goxha nxitëse: ‘Si ka mundësi që amerikanët janë ata që e shkatërruan këtë dhe amerikanët e rindërtuan?’”./REL
Fraksion.com