AktualitetBota+Të fundit

Rusia akuzon për terrorizëm katër të dyshuarit për sulmin në Moskë

Një gjykatë në Moskë caktoi masën e paraburgimit për 4 të dyshurit ndaj cilëve janë ngritur akuzat për terrorizëm lidhur me sulmin në një sallë koncertesh në kryeqytetin rus ku mbetën të vrarë të paktën 137 persona.

Katë të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim të paktën deri në 22 maj.

Gjykata e Moskës përmes një postimi në rrjetin Telegram i identifikoi ata si Dalerdzhon Mirzoyev, Saidakrami Rachabalizoda, Shamsidin Fariduni dhe Mukhammadsobir Faizov.

Dy prej tyre, Mirzoyev dhe Rachabalizoda pranuan fajësinë. Sipas mediave ruse, të 4 të dyshuarit ishin shtetas të ish republikës sovjetike të Taxhikistanit dhe banonin në Rusi.

Agjencia e lajmeve Associated Press tha se 4 të dyshuarit u shfaqën në gjykatë me shenja të rënda dhune. Një prej tyre dukej se nuk ishte i vetëdijshëm gjatë seancës së të dielës.

Mediat ruse raportuan se 4 burrat u torturuan gjatë marrjes së pyetje nga shërbimet sekrete dhe se tre prej tyre Mirzoyev, Rachabalizoda dhe Fariduni kishin shenja të goditjeve të forta, përfshirë enjtje dhe mavijosje të fytyrës.

Saidakrami Rachabalizoda kishte një vesh të fashuar. Mediat ruse thanë të shtunën se njërit prej të dyshuarve, i prenë veshin gjatë marrjes në pyetje.

Agjencia e lajmeve Associated Press nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këtë njoftim.

Zyrtarisht autoritetet i kanë akuzuar 4 të dyshuarit se kanë kryer një sulm terrorist në grup. Për akuzat parashikohet dënim deri në burg të përjetshëm.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë të dielën u mbajt ndërsa Rusia ishte në zi kombëtare për 137 personat që u vranë me armë automatike gjatë një koncerti pranë Moskës.

Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin e së premtes.

Presidenti rus Vladimir Putin është përpjekur të lidhë sulmin me Ukrainën dhe ka ngritur pretendimet se sulmuesit u kapën ndërsa po përpiqeshin të iknin drejt Ukrainës. Ukraina ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo përfshirje në sulm.

Të dielën, njerëzit vendosën lule në sallën e koncerteve pranë Moskës, ku katër burra të armatosur hynë të premten dhe qëlluan me breshëri ndaj civilëve të tmerruar.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në territorin rus që nga rrethimi i një shkollë në Beslan në vitin 2004, kur militantët islamikë morën peng më shumë se 1000 vetë, përfshirë qindra fëmijë./VOA

 

Fraksion.com