Kosova dhe Serbia – pa përparim në bisedimet për dinarin serb
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë i dhanë fund pa ndonjë përparim takimit takimi të së hënës në Bruksel, në të cilin u diskutua lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Takimi i sotëm ishte vazhdim i takimit të së martës së kaluar kur palët u zotuan të dalin më propozime të reja për zgjidhjen e situatës së krijuar pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Kyenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha se dallimi ndërmjet propozimeve të palëve është shumë i thellë, prandaj pati një pajtim për një takim të radhës për të parë nëse ka mundësi afrimi drejt një zgjidhjeje.
Zoti Bislimi nuk deshi të japë hollësi rreth propozimeve për të mos dëmtuar siç tha, procesin e negociatave, por theksoi se Kosova nxori një propozim konstruktiv që mundëson arritjen e mbështetjes financiare përfituesit, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e Bankës Qendrore dhe kuadri ligjor i Kosovës.
Kryenegociatori serb Petar Petkoviç, tha se Prishtina nuk bëri asnjë hap drejt kompromisit.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien tha javën e kaluar se Shtetet e Bashkuara janë mbështetës i fuqishëm i synimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe shpresojnë që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë. Zoti O’Brien tha se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet.
Fraksion.com