AktualitetPolitikëTë fundit

U arrestua sot për shpërdorim detyre, kush është Jorgo Goro? Prej 10 muajsh kryetar në detyrë i Himarës! Beleri e kallëzoi për tjetërsim pronash

Jorgo Goro, kryebashkiaku në detyrë i Himarës, i cili u arrestua sot me urdhër të SPAK, prej 3 mandatesh drejtonte bashkinë dhe prej 10 muajsh mbante këtë post edhe pse humbi në zgjedhjet lokale të 14 majit përballë Fredi Belerit.

Goro vijoi të mbante postin pasi rivali i tij Fredi Beleri u arrestua me urdhër të SPAK 2 ditë para zgjedhjeve vendore, nën akuzën e blerjes së 8 votave përkundrejt shumës prej 40 mijë lekësh, vepër penale për të cilën, GJKKO e dënoi me 2 vite burg.

Prej vitit 2011, Jorgo Goro nën siglën e PS-së ka arritur të zgjidhet kryebashkiak i Himarës për 3 mandate rresht, derisa humbi në 2023-in në zgjedhjet e 14 majit.

Në dosjen e dorëzuar në SPAK nga avokatët e Belerit në shtator të vitit të kaluar, Jorgo Goro akuzohet se ka ndërhyrë për të tjetërsuar prona në favor të të tretëve në mënyrë që të përfitojnë më pas statusin e investitorit strategjik.

Hetimi ndaj Goros, kulmoi gjatë vjeshtës, atëherë kur përveç tij u thirr për t’u pyetur edhe investitori strategjik, Artan Gaci, bashkëshort i ish-ministres Olta Xhaçka. Megjithatë hetimi i SPAK ngriti pikëpyetje mbi veprimatarinë e Goros dhe të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në falsifikim dokumentash në shkelje të ligjit.

Krahas kësaj padie SPAK i është referuar dhe raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka evidentuar disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës ku Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës. Gjetja më e rëndësishme e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka të bëjë me ndërtimin e një resorti në këtë zonë dhe me proceduat se si janë dhënë lejet e ndërtimit në zonën bregdetare të Himarës.

Pak kohë më parë Goro u paraqit në SPAK ku dha sqarime për këto dy çështje.

Fraksion.com