AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali: S’jemi armiq, radikalizmi nuk është flamur fitoreje

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke iu përgjigjur pretendimeve të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetit Enkelejd Alibeaj për ndryshimet në sistemin zgjedhor, tha se në komisionin e Ligjeve është ngritur një grup pune ku mund të diskutohen dhe pretendimet e tyre.

Sipas Spiropalit, Basha është produkt i listave të mbyllura dhe s’mund të flasë kundër tyre.

“Z. Basha me gjithë respektin, ju nuk duhet të flisni për listat e hapura, se ju jeni produkti i shkëlqyer i listave të mbyllura. Për lista të hapura mbeteni për t’u provuar. Nëse ka diçka që PS është e vendosur ta garantojë, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Me të gjithë ata elementë që ju përmendët, që nuk janë detyrimi jua dhe ultimatumi juaj, por detyra e GJK dhe detyra jonë si forca udhëheqëse në vend. Nëse ka një person që ka frikë nga gara e lirë shiheni para pasqyrës dhe jo te PS”, tha ministrja.

“Është shumë mirë të shohësh deputetët në vendin e tyre. I përgëzoj që janë këtu. Kjo është detyra e deputetit, të japë opsione, të jemi konkurrentë politikë, pasi nuk jemi armiq. Për çdo deputet dhe çdo forcë politike është e qartë se me rrugën radikale nuk shkon askund. Me flamurin e radikalitetit nuk ecet përpara”, tha Spiropali.

“Është mirë të ulesh dhe të gjesh fjalën dhe të biesh dakord, qoftë edhe me atë që ke përballë. Nuk ishte mirë t’i mundonim ambasadorët të vinin në seancë që të na shikonin si pajtohemi me njëri-tjetrin. Sa i takon atyre që ngrihen dhe me forcë deklarojnë se marrëveshja e 2008-ës është pjesë e politikës së vjetër, dua t’i kujtoi se janë ata që kanë ngritur lart flamurin e politikës së vjetër kur kanë qenë në partitë e tyre respektive. Nuk e  kam dëgjuar z. Basha dhe z. Alibeaj, që kur ishin ministra apo në majën e pushtetit demokrat, të kenë ngritur një shqetësim të vetëm për sistemin zgjedhor. Dhe s’mund të vish pas 15 vitesh e të kujtohesh këtu se s’je pjesë e këtij sistemi, që ta kthesh përmbys sistemin dhe s’mund të na kushtëzosh ne, që duam të bëjmë një reformë zgjedhore për kokën tonë. Ne e ngritëm atë komision për të gjetur dakordësinë dhe për të gjetur opsione që janë afër. Nuk jemi aty të presim ultimatume qesharake që na detyrojnë një opsion apo një tjetër. Është komisioni më jetëgjatë dhe më pa produkt, për arsyet tuaja”, u shpreh ministrja Spiropali.

“Sa i takon listave të hapura, votës së diasporës, kemi kohë t’i diskutojmë. Kemi qenë ne, që i përfshimë në programin tonë elektoral. Kemi qenë ne, që ia kemi ofruar publikut dhe opsionet si mund të ndodhë. Kemi mundësuar edhe një grup në komisionin e Ligjeve. Ai është një vend i mirë ku mund ta bëjmë debatin”, tha Spiropali.

Ministrja Spiropali iu përgjigj edhe deputetes Albana Vokshi. “Sa i takon dhunës. Deputetët kanë dhunuar kolegët e tyre në komisione dhe nuk janë të përshtatshëm për të folur për dhunën. Nuk është e pranueshme në asnjë rast. Ajo dhunë në komisione uroj të mos përsëritet. Më vjen keq për deputeten që foli, është shembulli më ekstrem i dhunës”, nënvizoi Spiropali.

Fraksion.com