AktualitetNATO/BETë fundit

Stoltenberg në Tbilisi: NATO mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në turneun e tij në Kaukazin e Jugut të hënën (18 mars 2024), u takuar me Presidenten Salome Zourabichvili dhe kryeministrin Irakli Kobakhidze të Gjeorgjisë në Tbilisi.

“Gjeorgjia është një nga partnerët më të ngushtë të NATO-s. Ne e vlerësojmë shumë kontributin tuaj thelbësor në misionet dhe operacionet e NATO-s dhe mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë. Osetia e Jugut dhe Abkhazia janë pjesë e Gjeorgjisë”, tha Stoltenberg. Ai i bëri thirrje Rusisë që të anulojë njohjen e territoreve gjeorgjiane Osetisë Jugore dhe Abkhazisë si shtete të pavarura dhe shtoi se organizimi i zgjedhjeve nga Rusia në pjesët e pushtuara të Gjeorgjisë dhe Ukrainës është krejtësisht i paligjshëm. “Zgjedhjet presidenciale të Rusisë nuk ishin qartësisht as të lira dhe as të drejta”, tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti kontributet e konsiderueshme të Gjeorgjisë në operacionet e NATO-s dhe mbështetjen për Ukrainën. Gjeorgjia po pret mijëra refugjatë ukrainas dhe po ofron ndihmë të rëndësishme humanitare dhe financiare. “Rusia këmbëngul në ndjekjen e ambicieve të saj perandorake. Dhe në Ukrainë, situata në fushën e betejës mbetet e vështirë”, tha ai. “Por, me mbështetjen tonë, Ukraina ka shtyrë prapa – duke shkatërruar ose dëmtuar një pjesë të konsiderueshme të flotës ruse të Detit të Zi”, duke lejuar Ukrainën të rihapë transportin e drithit që është jetik për ekonominë e tyre dhe për sigurinë globale të ushqimit.

Gjatë vizitës së tij, Sekretari i Përgjithshëm diskutoi mënyrat për të forcuar më tej partneritetin e NATO-s me Gjeorgjinë. NATO po rrit bashkëpunimin e saj me Gjeorgjinë në fusha të tilla si menaxhimi i krizave, siguria kibernetike, inxhinieria ushtarake dhe komunikimet e sigurta. Stoltenberg nënvizoi angazhimin e NATO-s për të mbështetur rrugën e Gjeorgjisë drejt një demokracie më të fortë dhe integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë vendimin e Bukureshtit të vitit 2008 që Gjeorgjia do të bëhet anëtare e NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm përfundoi ditën e djeshme, të martën 19 mars ,vizitën e tij treditore në Kaukazin e Jugut në Jerevan, duke u takuar me Presidentin Vahagn Khachaturyan dhe kryeministrin e Armenisë Nikol Pashinyan. Të dielën dhe të hënën, ai u takua me udhëheqjen e Azerbajxhanit në Baku.

 

Fraksion.com