Mediat britanike: Historike, nis rishikimi gjyqësor i shpalljes non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha
Në Britaninë e Madhe ka nisur rishikimi gjyqësor i shpalljes non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, në atë që mediat vendase e quajnë rishikim historik të vendimit të sekretarit të Brendshëm, atëherë Priti Patel, e cila i ndaloj Berishës hyrjen në Britaninë e Madhe në vitin 2022, me pretendimin e përfshirjes në korrupsion dhe kriminalitet.
Mbretëria e Bashkuar ndoqi të njëjtat hapa si SHBA pasi e ndaluan hyrjen në vend në vitin 2021. Sali Berisha është lideri aktual i opozitës shqiptare i Partisë Demokratike, por shërbeu si kryeministër i vendit nga viti 2005 deri në vitin 2013 dhe më parë ishte president nga 1992 deri në 1997.
Ai u caktua në arrest shtëpiak në dhjetor, ndërkohë që ka një hetim në vazhdim për të për korrupsion të mundshëm. Në të njëjtën javë, Kuvendi i Shqipërisë votoi për heqjen e imunitetit ligjor Berishës.
Duke filluar nga kjo javë është sfida e parë ligjore e njohur ndaj një vendimi të Sekretarit të Brendshëm për përjashtimin e një lideri të opozitës të ‘një shteti të huaj mik’ nga MB, shkruajnë mediat britanike. Berisha pohon se akuzat për kriminalitet dhe korrupsion të ngritura ndaj tij janë të pavërteta. Duke filluar nga sot, në Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC) në Mbretërinë e Bashkuar, do të nisë shqyrtimi i kërkesës së ish-kryeministrit.
Berisha pretendon se kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, kishte njohuri paraprake për urdhrin e përjashtimit, të cilin e kishte shpallur në Kuvendin e Shqipërisë, edhe para se ai vetë të ishte njoftuar për vendimin e Sekretarit të Brendshëm. Mbrojtja ligjore do ta përdorë këtë për të ngritur pyetje në lidhje me procesin e ndjekur në vendimmarrjen e ndalimit të tij nga MB.
Ekipi ligjor i Berishës përbëhet nga Fergus Randolph KC, i cili u udhëzua nga Kartik Mittal, partner në firmën ligjore me bazë në Londër Zaiëalla and Co. Seanca pritet të zgjasë katër ditë, deri të premten e kësaj jave. Duke komentuar rastin, avokati i tij, Mittal, tha: “Ky është një rast i jashtëzakonshëm ku një lider opozitar i një vendi tjetër evropian i është nënshtruar një urdhri përjashtimi në bazë të akuzave të thjeshta të nxjerra kryesisht nga burime të mediave të huaja për pavarësi të dyshimtë editoriale. Berisha nuk ka qenë kurrë i dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri dhe mohon me forcë të jetë përfshirë në aktivitete kriminale korruptive”.
Ndërsa një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha: “Qeveria e Britanisë së Madhe ka si prioritet sigurinë e vendit tonë dhe e bën këtë edhe duke promovuar sigurinë, prosperitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë botën. Britania e Madhe ka qenë një partnere e Shqipërisë duke e mbështetur në llogaridhënien dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundra kriminalitetit dhe korrupsionit”.
“Do të ishte e papërshtatshme të komentohej më tej ndërkohë që procedurat ligjore janë në vazhdim,” shtuan ata.
Fraksion.com