Zonat e mbrojtura, Bardhi: Presidenti humbi sërish mundësinë t’i shërbejë interesit publik
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të PD, Gazment Bardhi reagoi sot ndaj dekretimit prej Presidentit të Republikës të ligjit për zonat e mbrojtura.
Sipas Bardhit, Presidenti i Republikës humbi përsëri mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.
“Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Bardhi në reagim.
“Kurrë në më shumë se 30 vjet Shqipëria nuk ka patur një President që nuk guxon të ngrihet në lartësinë e detyrës, si garant i Kushtetutës, ku përcaktohet se identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij.
“Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”, tha Bardhi.
“Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve, duke nxitur kontrollin e ndërsjellë mes tyre. Rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”, mbylli Bardhi reagimin nisur nga dekretimi i ligjit të zonave të mbrojtura.
Fraksion.com