AktualitetPolitikëTë fundit

Begaj dekreton ligjin “Për zonat e mbrojtura”: Nuk u identifikuan përplasje dispozitash me direktivat e BE-së

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot ligjin “Për zonat e mbrojtura”, i cili u miratua në Kuvend më 22 shkurt me 77 votat pro të mazhorancës.

Në njoftimin për shtyp të Presidencës theksohet se “për shkak se ligji u shoqërua me komente dhe kritika në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të tij, sidomos nga grupet përfaqësuese të organizatave mjedisore, Presidenti i Republikës ndërmori një sërë konsultash dhe zgjeroi procedurën e shqyrtimit me përfshirjen dhe tërheqjen e opinioneve nga grupet e interesit, por edhe nga ekspertë kushtetues”.

Lidhur me shqetësimet e ngritura për këtë procedurë shqyrtimi, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron opinionin publik se “organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji përplasje me standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së (International Union for Conservation of Nature). IUCN-ja është një rrjet i madh dhe i rëndësishëm ndërkombëtar i organizatave mjedisore me autoritet global për sa u takon çështjeve të mbrojtjes së mjedisit. Standardet dhe udhëzuesit e IUCN-së nuk kanë fuqinë juridike të traktateve apo marrëveshjeve ndërkombëtare dhe, si të tilla, nuk mund të përdoren për shqyrtimin e përputhshmërisë kushtetuese të ligjit nr. 21/2024”.

“Organizatat e shoqërisë civile shohin te ligji risk potencial për mbrojtjen e mjedisit, i cili mund të shkaktohet nga zbatimi i gabuar i dispozitave të tij. Ekspertët kushtetues të thirrur në konsultë dhe Institucioni i Presidentit të Republikës nuk e shohin këtë pretendim si çështje që i përket procedurës për shqyrtimin e  kushtetutshmërisë. Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës, si nga organet eprore/mbikëqyrëse, ashtu edhe nga organizatat mjedisore. Shqyrtimi i kushtetutshmërisë që bën Institucioni i Presidentit të Republikës është shqyrtim abstrakt dhe i pa lidhur me skenarë të supozuar veprimi”, nënvizohet në njoftimin e Presidencës.

Gjithashtu, theksohet në njoftim, organizatat e shoqërisë civile shohin te procedura e shqyrtimit parlamentar të projektligjit cenimin e dispozitave të Rregullores së Kuvendit për përfshirjen e Këshillit të Ministrave në shqyrtimin e nismave ligjore parlamentare dhe për konsultimin publik.

“Kritikat lidhur me mënyrën e zbatimit të Rregullores së Kuvendit apo me mënyrën e organizimit të konsultimit publik janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij në ushtrimin sovran të kompetencave të veta. Institucioni i Presidentit të Republikës ka detyrë të mbikëqyrë vetëm respektimin e procedurës kushtetuese në procesin ligjvënës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, organizatat e shoqërisë civile kanë pretenduar përplasje, pa referenca konkrete, me dy direktiva të BE-së (direktiva e Këshillit 92/43/EEC dhe direktiva e Parlamentit Evropian dhe Këshillit 2009/147/EEC).

“Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash me asnjërën nga këto dy direktiva. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji”, theksohet në njoftim.

Ligji “Për zonat e mbrojtura” sjell koncepte të reja të kategorizimit të biodiversitetit në vend, sipas rëndësisë, por edhe mundësinë e përditësimit të tij në mënyrë më të shpeshtë, si dhe i jep një mundësi qeverisjes lokale dhe komuniteteve të jenë pjesë e kësaj vendimmarrjeje.

Në ligj riformulohen parimet e menaxhimit të zonave të mbrojtura, duke shtuar parimin “e përshtatshmërisë”, “parimin e kategorizimit të objektivave” dhe “parimin e fleksibilitetit të menaxhimit”, me qëllim rritjen e efikasitetit në procesin e menaxhimit të këtyre zonave, duke u bazuar në parimet e IUCN. Po ashtu ligji i ri, garanton aksesin e publikut në zonat e mbrojtura.

Lligj i jep më shumë kompetenca bashkive në menaxhimin e zonave të mbrojtura. Po ashtu synon mbrojtjen e këtyre zonave me anë të rritjes së ndërgjegjësimit, edukimit të publikut, nxitjen për kryerjen e aktiviteteve kërkimore-shkencore, nxitjen për kryerje të aktiviteteve rekreative dhe veprimtarive ekonomike në përputhje me parimin e efektivitetit, por dhe me objektivat e zonës së mbrojtur.

 

Fraksion.com