Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës gati vitin e ardhshëm
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta nisë javën me urimin e sjellë nga kantieri i punës në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ku po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati vitin e ardhshëm.
Në këtë aeroport po punohet në disa fronte, tek pista, po ashtu ngritja e terminalit prej 20 mijë metrash katrorë, te kulla e operimit, godina e zjarrfikësve, hangarëve, ndërtimi i rrugëve lidhëse dhe krejt infrastruktura e fushës aeroportuale.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës (VIA) po merr formë dita-ditës, për ta shndërruar atë në një tjetër portë të madhe për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar e për të pushuar.
VIA do të jetë porta e hyrjes në Jugun e Shqipërisë dhe porta e zhvillimit të turizmit. Ai parashikohet të rrisë lidhjet ajrore të Shqipërisë nëpërmjet heqjes së monopolit të TIA-s. Në këtë mënyrë, konkurrenca midis VIA dhe TIA do të ulë çmimet e fluturimeve, çka do të sjellë edhe rritjen e numrit total të pasagjerëve.
Ky aeroport është një prej investimeve strategjike për turizmin dhe ekonominë shqiptare, po jetësohet në terren për t’u shndërruar në aeroportin kryesor të vendit, i cili do të funksionojë me mbi 3 modele biznesi: aviacion civil, mirëmbajtje e avionëve dhe një kargo e mirëfilltë.
Pritet që aeroporti të dorëzojë aplikimin zyrtar në dhjetor të vitit 2024, bashkë me dokumentacionin përkatës për operimin dhe mirëmbajtjen e këtij aeroporti përfshirë planet e emergjencës. Do të vlerësohen postholder-at kyçe, menaxherët përgjegjës dhe kualifikimet e tyre. Në vijim do të ketë inspektimin në terren, me qëllim garantimin e sigurisë.
Brenda vitit do të kryhet edhe aplikimi për certifikimin e aeroportit, ku do të vlerësohet operimi i tij, kualifikimi i stafit dhe siguria në terren.
Që tani ka nisur puna për prokurimin e objekteve që do të plotësojnë funksionimin e plotë të aeroportit, i cili do të nisë fluturimet ne pranverë të vitit 2025.
Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës, do të operojë me një kapacitet prej 2 milionë pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.
Fraksion.com