Ramadani: Çfarë mund t’i ofrojë NATO Kosovës për sigurinë?
DW: Z. Ramadani, rreziku i luftës hibride të Rusisë në rajonin e Ballkanit është prezent, sipas deklarimeve zyrtare të institucioneve ndërkombëtare dhe mekanizmave kosovarë të sigurisë, sa e rrezikshme është kjo luftë realisht?
Ramadani: Lufta hibride ruse, e cila ka për qëllim ndikimin në vendimmarrjen politike dhe disponimin e komuniteteve për shtete të caktuara është në vazhdimësi një prej rreziqeve kryesore të Ballkanit dhe ka të paktën tri synime afatshkurtra: Qëllimi i parë është thellimi i përçarjes ndërmjet popujve në mënyrë që në rastin e Kosovës, komuniteti serb asesi të mos e pranojë funksionimin e shtetit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë, vendimmarrja politike të komplikohet edhe më shumë dhe si e tillë ka pasur raste që edhe ka ndodhur. Synimi numër dy i këtij aspekti afatshkurtër është fillimi i nxitjes së ndonjë situate, e cila do të shkaktonte incidente bazuar në informata të rrejshme dhe besim të lëkundur midis qytetarëve edhe shteteve. Dhe synimi i tretë është përçarja, respektivisht ndarja e shteteve të Ballkanit perëndimorë në aspektin e besimit për integrimet euroatlantike dhe uljen e besimit të popullatës për institucionet vendore.
DW: Rasti i Banjskës i 24 shtatorit të vitit të shkuar, është cilësuar si rasti me i rrezikshëm në këto vitet e fundit me një potencial të shkallës së lartë për destabilizim të Ballkanit, dështim i kujt mund të cilësohet ky rast, i institucioneve kosovare të sigurisë përfshirë AKI, apo i NATO-s dhe Policisë së EULEX-it, duke marrë parasysh që ruajtja e kufirit të Kosovës është përgjegjësi e KFOR-it.
Ramadani: Rasti i Banjskës që ka qenë një sulm i një grupi paramilitar të pajisur dhe të organizuar nga vetë ushtria e Serbisë, është një prej sinjaleve që bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe institucioneve të Kosovës duhet të kalojë në aranzhmane tjera operacionale. Pra, unë nuk besoj që është dështim i një institucioni të vetëm, por është dështim i këtij mos operacionalizimit të informatës midis NATO-os dhe institucioneve vendore. Pra nëse flasim për një veprim që ka ndodhur më pas që është patrullimi i përbashkët i kufirit midis KFOR-it dhe policisë së Kosovës, ai veprim është dashur të ndodhë edhe më herët dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet vrojtimit nga niveli ajror që është kompetencë e KFOR-it dhe ndarja e këtyre informacioneve drejtpërdrejt dhe menjëherë me institucionet vendore. Pra ka pasur një zbrazëtirë të komunikimit operacional, jo komunikimit profesional të përgjithshëm midis NATO-s dhe institucioneve vendore, e cila pastaj e ka dëshmuar se në raste të tilla ndodhin incidente apo sulme të ngjashme sikurse në Banjska. Prandaj është e domosdoshme që NATO- t’i ofrojë Kosovës aranzhmane të reja operacionale me institucionet e sigurisë së Kosovës, jo domosdoshmërisht me politikën kosovare, sepse, institucionet e sigurisë së Kosovës janë më profesionale sesa që e kemi politikën.
DW: Rusia së fundmi lëshoi fletarrrest për tre zyrtarë policorë të përfshirë më herët në arrestimin e një shtetasi rus në barrikadat në veri. Me rreshtimin e Kosovës krah perëndimit kundër pushtimit rus të Ukrainës, a po hyn Kosova në shtetet themi armike të Rusisë?
Ramadani: Kosova e ka qartësuar pozicionin kundër veprimeve të padrejta dhe luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, por jo vetëm në këtë rast. Rusia ka pasur dhe vazhdon të ketë qëndrime armiqësore ndaj Kosovës, kryesisht për shkak të lidhjeve të saj me Serbinë, por edhe për shkak të qëllimeve të saj për destabililizimin e Ballkanit dhe rasti i fundit i abuzimit të sistemit ndërkombëtar të Interpolit nga ana e Rusisë duke i vendosur tre emra të zyrtarëve policorë të Kosovës, dëshmon se Rusia po vazhdon të bëjë trysni edhe ndaj institucioneve të Kosovës edhe ndaj Ballkanit në përgjithësi. Kjo logjikë e abuzimit të Interpolit është në kuptimin lejeni një kërkesë në Interpol, ndoshta duhet ndonjëherë, por se kjo e detyron shtetin e Kosovës të ketë kujdes të veçantë për zyrtarët e vet policorë si shtetas të Kosovës, të cilët në një moment të caktuar mund të ndihen të rrezikuar.
DW: Veriu i Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina, cilësohen si dy pikat nevralgjike në Ballkan, vërtetë duhet të kemi frikë se mund të ketë destabilitet në këto dy rajone, edhe pse dihet se në të dyja vendet ka prezencë të madhe ndërkombëtare?
Ramadani: Pikërisht për faktin që prezenca ndërkombëtare është shtuar në Kosovë, mund të vlerësohet se rreziku për një sulm klasik ushtarak ndaj Kosovës nga ana e Serbisë është rrezik i vogël, porse rreziku i destabilizimit dhe incidenteve destablizuese mbetet në potencial të lartë. Ndërsa sa i përket Bosnjës dhe Hercegovinës, është një prej shteteve ballkanike e cila mund të shpërthej në konfliktin e saj sidomos në rastin e Republikës Serbe, e cila bashkë me Serbinë është kthyer në mashë të Rusisë në Ballkan dhe si e tillë prezenca e NATO-os dhe prezenca e faktorit demokratik ndërkombëtar po tentohet të shfrytëzohet nga ana e Rusisë të një situatë, e cila pastaj Rusia do të negocionte me perëndimin rreth Ukrainës dhe Ballkanit. Prandaj Kosova do të duhej të shfrytëzojë prezencën ndërkombëtare demokratike në qasje të përbashkët strategjike, sepse mungesa e një qasjeje të tillë të përbashkët të sigurisë mund të sjellë vërtetë situatë dëshpëruese në aspektin e sigurisë së Kosovës./DW
Fraksion.com