Plani i Rritjes i BE-së: Gogu: Përthithim të gjithë financimin, kryesojmë reformat në rajon
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu deklaroi sot se Plani i Rritjes është një dinamo e fuqishme e integrimit rajonal dhe europian.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Gogu u shpreh se Tirana tashmë është bërë vendi i “ngjizjes” së një sërë nismash rajonale.
Gogu nënvizoi se krijimi i tregut të përbashkët rajonal nuk është më thjesht një plan alternativ, por tashmë është një nga shtyllat kryesore të integrimit në BE.
“Parlamenti ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e këtij komponenti me rëndësi për integrimin e rajonit në tregun e përbashkët europian”, tha ai.
Gogu u ndal edhe te ‘odiseja’ e biznesmenëve shqiptarë, por edhe atyre nga rajoni për certifikimin e produkteve për tregun europian, ndërsa kërkoi që Plani i Rritjes të precizohet në këtë drejtim që ky kalvar të shkurtohet.
“Plani i Rritjes bën një injeksion fantastik për Shqipërinë e cila udhëheq edhe një pjesë të reformave në rajon. Kam bindjen se ne do të arrijmë ta përthithim të gjithë financimin prej afro 1 miliard euro. Kjo është një dinamo shumë e mirë që motori ekonomik i Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit të bëjë një nxehje të mirë për të vazhduar rrugën dhe për të arritur atë që ne ëndërronim 33 vjet më parë”, tha Gogu.
Ai u shpreh optimist se brenda vitit 2030 do të mund ta shohim ëndrrën e integrimit në BE të realizuar.
Fraksion.com