AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Kemi vendimmarrje në parim, 2 komisione hetimore dhe nënkomision për Reformën Zgjedhore

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha sot pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve se palët politike kanë rënë dakord për rregullimin e objektit për komisionet hetimore, ndërsa sipas tij, po ashtu u ra dakord që Reforma Zgjedhore të vijojë në një nënkomision për çështjet zgjedhore.

Bardhi tha se nuk do të ketë asnjë diskutim për çështjen e Drejtësisë.

“Është një lajm i mirë, që pas pesë muajsh rezistencë të deputetëve të opozitës për këtë arrogancë të shfaqur në seancën e datës 12 tetor nga ana e mazhorancës, këta të fundit kanë reflektuar dhe ne kthehemi të diskutojmë të tre këto çështje në konferencën e kryetarëve. Sot, ka patur një diskutim dhe vendimmarrje në parim”, tha Bardhi.

“Prandaj ju lutem mos nxitohemi ta raportojmë si një çështje të mbyllur. Kemi rënë dakord në parim për ngritjen e komisionit hetimor, pra pranimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për “kontratat koncesionare korruptive në sektorin e shëndetësisë”, kemi rënë në parim dakord për ngritjen e komisionit hetimor për ndërhyrjen e paligjshme në të dhënat personale të sistemit “Tims”. Kemi rënë gjithashtu parimisht dakord, që çdo ligj, që kërkon 3/5-at, pa përjashtuar këtu ligjin kryesorë që është sot temë e ditës, ligjin për reformën zgjedhore, pra ligjin, kodin zgjedhor, të diskutohet në një komision, nënkomision, strukturë të posaçme, quajeni si të doni, sepse s’ka rëndësi emri, që do të ngrihet në kuvendin e Shqipërisë në paritet të plotë mes grupit parlamentar të PS, dhe grupit parlamentar të PD, me vendimmarrje që merren me konsensusin e të dyja palëve dhe sigurisht që asistohen nga ekspertizë ndërkombëtare që mbulon fushën që trajton kjo strukturë e posaçme parlamentare”, tha Bardhi.

Bardhi tha se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore nuk solli asnjë produkt.

“Komisioni i posaçëm parlamentar skadon më 21 mars. Struktura e re do të funksionojë sapo të ngrihet me vendim të Kuvendit. Besoj në seancën më të parë të Kuvendit, nëse do të arrihet dakordësia në mbledhjen e nesërme të Konferencës së Kryetarëve. S’kam pasur kurrë dyshime që ata që e penguan reformën zgjedhore për 22 muaj, do të arrinin të bënin diçka për 2 muaj. Ishte e qartë që kishte një plan për ta dështuar dhe për ta mbajtur peng reformën zgjedhore, që po provohet edhe me shtyrjen e këtij komisioni të posaçëm. Zero produkt dhe zero diskutime për çështjen në interes të qytetarëve apo për çështje që prekin garancitë për zgjedhje të lira e të ndershme.”, tha Bardhi.

“Kemi rënë dakord që ky nënkomision do të diskutojë çdo reformë, që kërkon gjithëpërfshirje dhe konsensus, që do të duhet të pasqyrojë realitetin politik në vend. Pra, dikush që është 3 veta nuk mund të thotë që janë 300, do të duhet të pasqyrojë realitetin politik në vend dhe në Kuvend dhe sigurisht do të duhet t’i japë Shqipërisë reforma që i interesojnë qytetarëve dhe jo një grushti njerëzisht, deputetëve apo partive politike”, tha Bardhi.

Ai zbuloi që Bylykbashi do të jetë prej bashkëdrejtuesve të nënkomisionit.

Ai tha se ligji i ri për komisionet hetimore duhet rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

“Dispozita të caktuara të ligjit të ri bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe për këtë arsye kemi depozituar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese. Kemi kërkuar një procedurë të përshpejtuar për shqyrtimin e ligjit të ndryshuar të komisioneve hetimore dhe për opozitën e drejta për hetim parlamentar garantohet nga Kushtetuta. Ne do të zbatojmë vetëm Kushtetutën. Nuk mund të ketë forcë kartoni që mund të pengojë opozitën të ushtrojë atë të drejtë që ia njeh kushtetuta, të kontrollit parlamentar të ekzekutimit, të hetimit parlamentar”, tha Bardhi.

“Kam besimin e plotë që Gjykata Kushtetuese do të jetë garant i Kushtetutës. Uroj të jetë kështu, që të kemi një vendim sa më të shpejtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, sikurse dua të rikonfirmoj që deputetët e opozitës do të zbatojnë drejtpërdrejt Kushtetutën”, vijoi Bardhi.

Bardhi mohoi përfshirjen e ndryshimeve ligjore në sistemin e drejtësisë së re.  Ai tha se nënkomisioni i ngritur nga Komisioni i Ligjeve ka ngecur pasi nuk ka gjetur dakordësinë e partnerëve SHBA dhe BE.

“S’ka patur asnjë diskutim, për asnjë çështje që prek drejtësinë. Sikundër nuk ka pasur asnjë diskutim, që prek në përmbajtje qoftë edhe reformën zgjedhore. Ajo që është biseduar në takimin informal me kryetaren e Kuvendit dhe që nxiti këtë takim të sotëm të konferencës së kryetarëve, ka qenë vetëm procedura për të ofruar zgjidhje sesi dilet nga ngërçi ku ishte futur Kuvendi. Ky ka qenë i vetmi diskutim”, tha Bardhi.

Lidhur me grupin e punës për ndryshimet në paketën e ligjeve të Reformës në Drejtësi Bardhi tha se procesi ka ngecur. “Shkak është se s’ka gjetur dakordësinë e partnerëve tanë strategjikë. Nuk ndodh kurrë që të ndërhyhet në një ligj që prek zbatimin e reformës në drejtësi. Apo qoftë dhe për të rritur eficiencën në sistemin e drejtësisë pa dakordësinë e bashkëautorëve të reformës në drejtësi që janë SHBA dhe BE”, tha Bardhi.

“Ne kemi qenë edhe në procesin e miratimit të reformës, aleatë në atë proces  qoftë me SHBA, qoftë me BE. Kemi marrë disa herë opinionin e Venecias. Kjo sepse kemi dashur dhe duam që Reforma në Drejtësi të jetë sipas standardeve ndërkombëtare dhe të mos jetë një drejtësi e kontrolluar nga politika apo ku politika ka mundësi të ndërhyjë”, vijoi Balla.

Bardhi tha se në diskutimet e sotme nuk kanë pasur në mendje Bashën. Në lidhje me Aministinë Penale ai tha se nuk ka pasur asnjë diskutim për çështjet përmbajtësore.

 

Fraksion.com