Balla: Riorganizim i shërbimit zjarrfikës, rol edhe në operacionet e kërkim-shpëtimit
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka njoftuar se po hartohet një ligji i ri për Shërbimin Zjarrfikës, si dhe një strategji e re mbrojtjen nga zjarri.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së dorëzimit të automjeteve të reja të shërbimit zjarrfikës të financuara nga qeveria e Polonisë, përmes projektit PNUD për bashkitë Lezhë, Fier dhe Pogradec, Balla nënvizoi se shërbimi zjarrfikës duhet të marrë dhe një rol tjetër sa i takon shpëtimit, duke u bërë pjesë e kërkimeve për turistët që humbin rrugën në shtigje të caktuara malore dhe jo vetëm, gjatë sezonit turistik.
“Është e pamundur që Policia e Shtetit, të përballojë të gjitha kërkesat që lidhen me faktin që turistë vendas apo të huaj humbin rrugën në një destinacion të caktuar, diku në një mal, apo diku tjetër. Dhe gjithmonë thirret në ndihmë Policia e Shtetit. Këtu shërbimi i mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, duhet të marrë një rol tjetër dhe mendoj që ka ardhur koha të investohemi në burimet e duhura njerëzore dhe në pajisjet e duhura logjistike për ta kërkuar këtë shërbim edhe në këtë drejtim”, tha Balla.
Ministri shtoi se “kjo është dita e parë e një procesi ristrukturimi të këtij shërbimi, për t’iu përgjigjur me më shumë cilësi qytetarëve”.
“Ministria e Brendshme tashmë ka nisur punën për rishikimin edhe të ligjit bazë që rregullon këtë shërbim. Për riorganizmin e shërbimit zjarrfikës qoftë në nivel bashkie, por edhe për të krijuar një koncept bashkëveprimi në nivel qarku, apo në forma të tjera”, tha Balla.
“Na duhet ta kategorizojmë sipas nivelit të bashkive nevojën reale që kanë për shërbim zjarrfikës, duke mos harruar që edhe për bashkitë në dukje të vogla, kemi sipërfaqe të mëdha territoriale, të cilat duhen mbuluar me këtë shërbim. Po ashtu dhe me shtesa organike dhe me hapjen e stacioneve provizore gjatë sezonit të verës turistikë për të mbuluar të gjitha nevojat. Edhe ngritja e qendrës së trajnimit zjarrfikës është një pjesë e rëndësishme e kësaj qasje të re”, vuri në dukje Balla.
“Duhet të përdorim teknologjinë, që është një mundësi e mirë për të shkurtuar kohën e humbur dhe digjitalizimi është një prej sfidave të cilat drejtori i ri i drejtorisë sonë, duhet të na e mundësoj sa më shpejtë. Ne do të kemi shumë shpejt një strategji të re dhe masa të reja për ndryshimet që duhet të sjellim në këtë shërbim”, vijoi Balla.
Ai tha se shërbimit zjarrfikës i duhen burra e gra që janë gati të sakrifikojnë gjithçka për të shpëtuar jetë.
“Për vetë rrezikshmërinë që paraqesin fatkeqësitë, dëmet që ato sjellin, për fat të keq të shkaktuara me ose pa dashje nga dora e njeriut, na kërkohet gjithnjë e më shumë një reagim i menjëhershëm. Në këtë shërbim, edhe sekonda mund të bëjë diferencën. Prandaj, ky shërbim ka nevojë për burra e gra të devotshëm, të përkushtuar që e duan punën dhe shërbimin që bëjnë dhe që janë gati të sakrifikojnë gjithçka për të shpëtuar jetë. Nuk mund të shkosh në operacion për fikjen e një zjarri nëse s’ke angazhimin e duhur”, tha Balla.
Ai u kërkoi kryebashkiakëve që vendin e punës në shërbimin zjarrëfikës të mos e shohin si një vend qokash.
“Unë e di fare mirë që duhet të ndryshojmë mënyrën e përzgjedhjes së punonjësve të shërbimit zjarrfikësve dhe parandalimit. Vendi i punës nuk është vend qoke, ku është dikush që të vjen çdo ditë tek dera e bashkisë dhe kërkon një vend pune. Gjeni një vend pune tjetër, por s’është vendi i punës i zjarrfikësit dhe shpëtimit, për t’i bërë nder dikujt, pasi duke i bërë nder dikujt, mund t’i bësh qeder atij dhe kolegëve të tij”, theksoi Balla.
Ministri i Brendshëm tha se gradat në shërbimit zjarrfikës duhet të jepen me objektivitet dhe jo në mënyrë fiktive.
“Do vazhdohet me plotësimin e strukturave operacionale të shërbimit zjarrfikës. Do vazhdojmë edhe me një proces që sapo kemi nisur, ku është përfshirë dhe Akademia e Sigurisë në trajnimin, por dhe në certifikimin e të gjitha niveleve të shërbimit zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por një vlerësim tepër objektiv i performancës dhe i natyrshëm i eksperiencës së fituar nga ky shërbim”, nënvizoi Balla.