AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: PS, forcë që sjell progres, ata të tjerët, degradim

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim për procesin e rienergjizimit të PS me organizatat socialiste 1140 Peshkopi dhe 0990 Klos.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “ne në të gjithë territorin e Shqipërisë kemi hyrë në një proces që e kemi quajtur rienergjizim të PS, i cili është një proces që synon një sërë gjërash”.

“Së pari, synon një hapje të re të PS-së për të mundësuar përfshirjen e shumë njerëzve të të gjitha moshave dhe padiskutim burra, djem, gra, vajza, që kanë dëshirë t’i bashkohen PS-së, por që për shkak të mënyrës sesi ne jemi të organizuar dhe për shkak të një lloj refuzimi që fillon dhe bëhet vijë sjelljeje në këto lloj ciklesh nga një proces në një proces tjetër, e kanë pasur dhe e kanë të vështirë që të gjejnë derën dhe që dera t’iu hapet”, tha Rama.

“Padiskutim që ne kemi të metat tona dhe as nuk vihet në dyshim që jemi larg së qeni të pagabueshëm, por ajo çka besoj mund të thuhet me plot gojën është që në të gjitha rastet ne jemi një forcë që sjell progres, diku më shumë diku më pak, diku me më pak gabime, diku me më shumë gabime, por progres”, theksoi Rama.

Ndërkohë, shtoi kryeministri, “që forcat e tjera janë forca që sjellin rrëmujë, që sjellin konfuzion dhe që sjellin një status-quo që e degradon pastaj realitetin ku ato qeverisin në mënyrë të vazhdueshme dhe realisht më ka lënë një mbresë shumë të keqe stadiumi i Shkodrës. Po e sjell këtu si shembull të faktit që kjo ndodh kudo dhe gjithmonë ku ata të tjerët marrin mandatin për të bërë diçka. Një stadium i ri i ndërtuar për ndeshje ndërkombëtare, sipas të gjithë parametrave të UEFA-s, i cili më besoni ishte katandisur në një objekt, sikur aty kishte rënë bomba dhe prej vitesh nuk kishte shkelur njeri. Asnjë përkujdesje, asnjë mirëmbajtje, asnjë vëmendje, vetëm degradim”.

“Si stadiumi në fakt, është e gjithë Shkodra, e cila ka filluar hap pas hapi, të marrë veten, por si stadiumi ka qenë dhe çdo bashki e Dibrës, dhe këtë mund ta dëshmojë lehtësisht të gjithë ju, por dhe të gjithë qytetarët që i kanë parë të dyja fazat”, theksoi Rama.

Fraksion.com