Rama: Organizata e PS në Dibër, një nga më të shëndetshmet që kemi
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim për procesin e rienergjizimit të PS me organizatat socialiste 1140 Peshkopi dhe 0990 Klos.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, “nëse sot ne kemi në Dibër një panoramë krejt të ndryshme, e cila materializohet hap pas hapi edhe në shumë kantiere të mëdha apo më të vogla, po përtej kantiereve, materializohet në një raport tjetër të qytetarëve me qeverisjen vendore. Kjo vjen dhe si rezultat i përmirësimit të shëndetit të PS-së në Dibër.
Sot mund të thuhet me plot gojën që organizata e PS Dibër është nga më të shëndetshmet që ne kemi në Republikën e Shqipërisë. Dhe besoj që edhe shifrat e anëtarësimeve të reja, të cilat janë mbresëlënëse, janë tregues i këtij fakti, sepse në një parti, siç ka qenë në momente të caktuara, ose në një periudhë të caktuar partia në Dibër, ose siç ka qenë dhe në zona të tjera, ku sherri është dominanca e çdo përpjekjeje për t’u bashkuar, ku një grup njerëzish kthehen në sundimtarë apo në pengues të frymëmarrjes së organizatës, është një parti ku nuk kanë dëshirë të tjerët të përfshihen, kjo është shumë e thjeshtë”, tha Rama.
Sipas tij, një parti ku në të gjitha rastet fryma është e shëndetshme dhe energjia është pozitive atëherë dhe të tjerët kanë dëshirë të përfshihen.
“Në këtë kuptim, besoj që Dibra i ka të gjitha mundësitë për të pasur një PS gjithmonë e më të fortë dhe për të pasur ambicie përtej çdo hapi pozitiv, për të bërë një tjetër hap pozitiv, dhe një tjetër hap pozitiv. Gjë që natyrisht na ndihmon shumë për të vazhduar progresin dhe punët që po bëjmë”, u shpreh Rama.
Fraksion.com