Platforma TikTok dhe të rinjtë në zgjedhjet europiane: A do të përfitojë AfD-ja?
Të pish alkool, të ngasësh motoçikletën apo ta blesh vetë celularin. Shumë gjëra janë të mundshme që në moshën 16-vjeçare. Por votimi nuk ka qenë deri tani i mundur, përveçse në disa zgjedhje lokale. Gjërat do të ndryshojnë këtë vit. Në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian në fillim të qershorit, 16- dhe 17-vjeçarët lejohen të votojnë për herë të parë. Pas debatesh të gjata Gjermania vendosi në nëntor 2022 që ta ulë moshën minimale të votimit për zgjedhjet evropiane. Të rinjtë lejohen të votojnë këtë vit edhe në Belgjikë, Austri, Greqi dhe Maltë.
Prandaj dhe fondacionet ofrojnë seminare dhe aktivitete informuese për t’i përgatitur të rinjtë për zgjedhjet evropiane, siç shkruan në faqen e tij të internetit Fondacioni Friedrich Ebert i lidhur me SPD. Synimi është i kuptueshëm: Shumë të rinj mund të mos jenë të sigurtë për kë të votojnë dhe çfarë ndikimi do të ketë në jetën e tyre kryqi që do të vënë në fletën e votimit.
AfD mbledh vota në TikTok
Megjithatë për shumicën e të rinjve ka rëndësi një burim krejtësisht tjetër i informacionit: platforma e videove sociale TikTok. Atje partia populiste dhe pjesërisht ekstreme e djathtë AfD po zhvillon një fushatë agresive zgjedhore për të rinjtë.
Kandidati kryesor për zgjedhjet evropiane, Maximilian Krah, nuk paraqitet vetëm si politikan, por edhe si ekspert takimesh me të rinjtë. “Burrat e vërtetë janë të djathtë, burrat e vërtetë kanë ideale, burrat e vërtetë janë patriotë, pastaj funksionon edhe me të dashurën”, thotë ai në një video, që tani ka gjeneruar miliona klikime. Në video të tjera ai paralajmëron, se “nëna jote do të jetë e varfër, kur të plaket” ose se “qeveria federale gjermane të urren”.
Mesazhet mbërrijnë. Një analizë e këshilltarit politik Johannes Hillje, të cilën e kishte në dispozicion transmetuesi televiziv ZDF, tregon se TikTok-et e grupit parlamentar të AfD-së kanë patur rreth dhjetë herë më shumë shikime sesa ato të partive të tjera.
Mesazhe të thjeshta dhe emocionale
“Është enigmë për mua, pse partitë e tjera bëjnë kaq pak në krahasim me ata”, thotë studiuesi i moshave rinore, Klaus Hurrelmann, në një intervistë për DW. “Sepse brezi i ri është rritur në mënyrë digjitale, komunikon vetëm në këtë kanal dhe në thelb e percepton informacionin politik vetëm përmes kanaleve digjitale”.
Që AfD është kaq e suksesshme në TikTok, ka të bëjë edhe me mënyrën se si funksionojnë algoritmet – sa më sensacionale përmbajtja, aq më shumë vëmendje. Nëse partitë e tjera mund t`i arrijnë, është e pasigurtë.
Nga pandemia te kriza e klimës
Për Hurrelmann suksesi i AfD tek të rinjtë nuk është ndonjë surprizë e madhe. Sipas tij të rinjtë, që votojnë për herë të parë, janë thellësisht të pasigurtë. Pandemia e koronës me mbylljet e shkollave dhe ndalimet e kontaktit ndjehet ende “në kockat” e të rinjve. “Ishte një thyerje e madhe për të rinjtë, menjëherë në pubertet në moshën 12 apo 13 vjeçare, të përjetonin se nuk mund ta drejtosh vetë jetën tënde”, thotë ai.
Edhe kriza me klimën, inflacioni, hapësira e kufizuar e banimit dhe varfëria në pleqëri i trembin shumë të rinj. “Kjo i shkon shumë për shtat një partie si AfD”, vazhdon Hurrelmann. “Sepse ajo është partia, që thekson, se qeveritë nuk kanë arritur t’i shmangin këto pasiguri. Rezultati i këtyre premtimeve u pa në vjeshtë në zgjedhjet për parlamentin e landit gjerman të Hessen-it. AfD arriti vendin e dytë midis votuesve të rinj (18 deri 24 vjeç).
Një brez i përçarë
Një rezultat që ndoshta u ndikua kryesisht nga burrat e rinj. “Nëse shikoni AfD-në, çështja është shumë e qartë. Është një parti, që dominohet nga burrat, zgjidhet dhe mbështetet më shumë nga burrat. Dhe kështu është edhe me djemtë e rinj”, thotë studiuesi për të rinjtë Hurrelmann.
Tërheqja e të rinjve nga partitë e djathta nuk është një fenomen gjerman. Hulumtimet tregojnë se burrat dhe gratë në mbarë botën brenda gjeneratës Z po largohen gjithnjë e më shumë politikisht nga njëri-tjetri. Kjo do të thotë se burrat e rinj nuk janë politikisht aktivë ose bëhen më konservatorë, ndërsa gratë e reja bëhen më progresive, vlerëson një analizë e Financial Times.
Hurrelmann pret që AfD të ketë shanse të mira për zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit: “Të rinjtë votojnë për çështjet problematike. Edhe këtu një parti si AfD ka shanse të mira. Tani, nëse çështjet problematike kanë lidhje me Evropën, kjo nuk merret aq fort në konsideratë nga të rinjtë”, përfundon Hurrelmann./DW
Fraksion.com