Përplasja me Princ Lekën, Elia Zaharia thyen heshtjen
Elia Zaharia ka thyer heshtjen, ndërsa ka reaguar pas konfliktit fizik me Princ Lekën me të cilin është në proces divorci.
Në një mesazh në mediat sociale ajo falenderon ndjekësit për mbështetjen dhe kurajon që i kanë dhënë gjatë këtyre ditëve që i cilëson si shqetësuese. Po ashtu, ajo ka shprehur mirënjohjen për peticionin e nisur nga kolegët e saj.
“Miq dhe dashamirës,
Ndjej dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të thellë për mbështetjen dhe kurajon që më keni dhënë përgjatë këtyre ditëve kaq shqetësuese për mua dhe familjen time!
U jam falenderuese të gjithë atyre që u ulën dhe më shkruan fjalë zemre, atyre që kuptuan dhe ndjenë dhimbjen time! Artistë të shquar e të nderuar të vendit tim, nga brezat që na kanë bërë e vazhdojnë të na bëjnë krenarë e që janë një pasuri kombëtare, deri te brezat e rinj të artit e kulturës në vend, u bashkuan në një peticion sensibilizues në mbështetje të një dinjiteti njerëzor! Ju jam përulësisht mirënjohëse, deri në lot”, shkruan Elia.
Përplasja mes Princit Leka dhe ish-bashkëshortes së tij ka ndodhur në 5 mars. Të dyja palët i janë drejtuar komisariatit numër 1 ku kanë bërë kallëzim ndaj njëri-tjetrit për dhunë.
Gjykata Civile e Tiranës dha urdhra mbrojtje për Princ Lekën dhe Elia Zaharian, teksa rrëzoi kërkesën e babait të kësaj të fundit.
Vendimi detyron çiftin mbretëror të qëndrojnë 5 metra larg njëri-tjetrit, teksa Princ Leka mund të takojë vajzën e tij të vogël vetëm në prani të dados.
Ndërkohë Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimeve për Veprën Penale ‘Dhunë në Familje’ pas denoncimit të Princ Lekës ndaj ish-bashkëshortes së tij.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat, organi i akuzës thotë se çështjen e ka marrë në dorë prokurori përkatës.
Prokuroria thotë se ka marrë si provë nga policia edhe videon që tashmë është publikuar në media.
Elia Zaharia dhe Princ Leka, i dhanë fund pak muaj më parë martesës së tyre disavjeçare dhe ndodhen në proces divorci.
Fraksion.com