Komisioni Evropian do të rekomandojë të martën nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën
Komisioni Evropian pritet që në takimin e kolegjit që do të mbahet të martën në Strasburg, të miratojë rekomandimin për vendimin e Këshillit për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE të Bosnje e Hercegovinës.
Radio Evropa e lirë mëson nga burimet diplomatike në Bruksel se për këtë vendim janë pajtuar strukturat e Komisionit dhe në takimin e së martës me 12 mars ai do të formalizohet.
Sipas procedurave të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian jep rekomandime ndërsa vendimet i merr Këshilli Evropian.
Në këtë rast, pasi të rekomandojë Komisioni, vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën duhet ta miratojnë liderët e 27 vendeve anëtare në samitin e BE-së, me 21 dhe 22 mars në Bruksel.
Liderët e BE-së, edhe në samitin e tyre në dhjetor të vitit të shkuar, kishin shprehur gatishmërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën por kishin përmendur edhe disa kushte që ky vend do të duhej t’i përmbushte deri në fund të muajit mars.
“Këshilli Evropian është i gatshëm të nisë negociatat e anëtarësimit në BE me Bosnje e Hercegovinën, kur niveli i nevojshëm i përputhjes me kriteret e anëtarësimit, të arrihet”, ishte thënë në konkluzat e atij samiti.
Vendimi i paralajmëruar për Bosnje e Hercegovinën konsiderohet nga diplomatët në Bruksel si shenjë e përkushtimit të BE-së për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe si përgjigje edhe ndaj sfidave gjeopolitike në Evropë, pas nisjes së invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Por burimet diplomatike tërheqin vërejtjen se deri te zhvillimi i samitit të liderëve të vendeve anëtare në Bruksel, Sarajeva duhet të bëjë edhe disa hapa në reforma, me të cilat rritë gjasat për një vendim më pozitiv të BE-së.
Sipas të njëjtave burime, ende ka disa shtete që janë skeptike ndaj vendimit për nisjen e negociatave me Bosnje e Hercegovinën, apo që kërkojnë që ky vendim të ketë edhe disa kushte shtesë para se negociatat të nisin.
Në Procesin e zgjerimit ndodhen momentalisht 10 vende.
Prej tyre. 9 kanë status kandidati dhe vetëm Kosova është vend i cili nuk e ka një status të tillë edhe pse ka aplikuar për anëtarësim në bllok.
Turqia, Mali i zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e veriut, Ukraina dhe Moldavia kanë edhe vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Status kandidati kanë edhe Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia, por deri tash nuk kanë vendim për hapjen e negociatave
Fraksion.com