AktualitetPolitikëTë fundit

Rama takim me strukturat në Shkodër: Të hapim dyert edhe për demokratët

Pas inspektimeve në Shkodër me kryebashkiakun Benet Beci, kryeministri Edi Rama është takuar edhe me strukturat e socialistëve.

Gjatë takimit, Rama është ndalur tek nevoja e anëtarësimeve të reja, thithja e të rinjve rreth kësaj force politike si e vetmja alternative që i ofron mundësi të rinjve dhe vendit.

“Duhet të jemi më gjithëpërfshirës në Shkodër, të hapim dyert për të gjithë edhe për demokratët që në Shkodër kemi Benetin kështu që demokratët e kanë derën e hapur” – tha Rama, duke vënë në dukje nevojën për t’u shkëputur nga ndasitë e së shkuarës.

“Po komunikojmë në vazhdën e energjizimit të PS për të mirëpritur anëtarë dhe anëtare të reja të PS-së. Dua të them që pas 24 orësh në Shkodër më vjen shumë mirë që rrugëtimi është pozitiv dhe ndjesia e vlerës së votës është e prekshme. Besoj që është e prekshme jo vetëm për mua, por edhe për banorët e shkodrës. E ndjej në kontrastin e jashtëzakonshëm mes vizitave të dikurshme dhe ato pas zgjedhjeve. Dëshira e njerëzve për t’u afruar dhe shprehur janë gjithnjë e më të forta. Kjo është si reflektim i punës që po bën Beneti me skuadrën të cilën ne dhe unë personalisht e mbështesim pa kushte sepse Shkodra ka një potencial kombëtar”- tha Rama.

Sipas kryeministrit, deri dje Shkodra ka qenë peng i një krenarie të humbur, por sot nën qeverisjen e të majtës do të bëhet hapësira e një krenarie të fituar.

Shkodra ishte peng i një krenarie të humbur që përkthehej në një mllef vetasgjesues izolmi dhe refuzimi për të tentuar ndryshimin duke u kapur pas së shkuarës. Sot Shkodra po bëhet hapësira e një krenarie të fituar, e një krenarie që po bëhet pikërisht nga ndjenja e të qenurit në qendër të vëmendjes të të parit të ndryshimit të mundshëm dhe ndjenja e të ardhmes që ka filluar të ushqejë zemrat e shkodranëve. Për mua është shumë e rëndësishme ajo çfarë shqiptarët mund të bëjnë së bashku”- tha Rama, duke shtuar se ushqimi i ndjenjës së krenarisë është themelor për të siguruar të ardhmen që meritojnë gjeneratat e tjera.

“Shkodra sot është një laborator i të shkuarit përtej kufijve partiak. Interesa mund të mbrohen më mirë duke kapërcyer kufijtë partiak. PS nuk është një qëllim në vetvete, por një instrument për të realizuar qëllime të përbashkëta që kanë të bëjnë me jetën, që kanë të bëjnë me njerëzit. Ato parti që janë qëllim në vetvete, janë mbytëse janë refuzuese, janë dëmtuese”- u shpreh ndër të tjera kryeministri.

Fraksion.com