AktualitetBota+Të fundit

Niset drejt Gazës anija amerikane me pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm

Një anije e ushtrisë amerikane e ngarkuar me pajisje për ndërtimin e një porti të përkohshëm në Gazë po lundron sot drejt Mesdheut, tre ditë pasi Presidenti i Sheteve të Bashkuara Joe Biden njoftoi planet për të rritur dërgesat e ndihmave përmes rrugëve detare në rajonin ku qindra mijëra palestinezë po përballen me uri.

Hapja e korridorit detar, së bashku me lëshimin e ndihmave nga ajri nga Shtetet e Bashkuara, Jordania dhe vende të tjera, dëshmoi shqetësimin në rritje mbi krizën humanitare në Gazë dhe gatishmërinë për të shmangur kontrollet e Izraelit për dërgesa në rrugë tokësore.

Izraeli tha se mirëpriste dërgesat përmes rrugëve detare dhe se do të inspektonte ngarkesën e nisur për në Gazë.

Për shkak të kufizimeve izraelite dhe çështjeve të sigurisë, numri i kamionëve me ndihma që hyjnë në Gazë, në bazë ditore përmes rrugëve tokësore, gjatë pesë muajve të fundit ka qenë shumë më i ulët se afro 500 të tillë që hynin para fillimit të luftës.

Ndërkohë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden shtoi kritikat e tij publike ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Zoti Biden tha se beson se zoti Netanyahu “më shumë po e dëmton sesa po e ndihmon Izraelin”me qasjen që po mban në luftën kundër Hamasit në Gazë, ndërsa shënohen 6 muaj nga nisja e konfliktit.

Duke folur për gazetarin e rrjetit MSNBC Jonathan Capehart, Presidenti shprehu mbështetje për të drejtën e Izraelit për të luftuar Hamasin pas sulmit që militantët e grupit kryen në 7 tetor në jug të Izraelit, por Presidenti tha se zotit Netanjahu duhe t’i kushtojë më tepër vëmendje humbjes së jetëve të pafajshme si pasojë e veprimeve të marra.“Nuk mund të vriten më shumë se 30 mijë palestinezë”, tha ai.

Në Gazë, numri i viktimave palestineze vazhdon të rritet.

Departamenti i Mbrotjes Civile tha se të paktën 9 palestinezë, përfshirë fëmijë, u vranë si pasojë e sulmeve ajrore në një shtëpi në qytetin e Gazës, të shtunën vonë.

Ndërkohë, trupat e pajetë të 13 personave, përfshirë gra dhe fëmijë, u dërguan në spitalin kryesor në qytetin Deir al-Balah, të dielën, sipas një gazetari të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Të afërmit e tyre thanë se të 13 u vranë nga goditjet izraelite ndaj një tende të madhe strehimi për palestinezët e zhvendosur në qytetin Khan Younis.

Lufta në Gazë nisi pas sulmit të Hamasit në 7 tetor ndaj Izraelit, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje.

Ofensiva e ashpër ajrore dhe tokësore e Izraelit ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit në Gazë, ka detyruar rreth 80% të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset dhe ka shkaktuar një krizë humanitare e cila po përkeqësohet.
Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësuesit rajonalë, Egjipti dhe Katari kishin shpresa për arritjen e një armëpushimi 6-javor, para nisjes së Ramazanit, sot, por bisedimet duket se kanë ngecur, pasi Hamasi nuk pranoi të jepte siguri se një marrëveshje e mundshme armëpushimi do të çonte në dhënien fund të konfliktit.

Ndërmjetësuesit shpresonin të lehtësonin një pjesë të krizës përmes marrëveshjes për një armëpushim të përkohshëm, e cila parashikonte që Hamasi të lironte disa nga pengjet izraelite, Izraeli të lironte disa të burgosur palestinezë dhe organizatat humanitare të kishin mundësi për dërgimin e një fluksi më të madh ndihash në Gazë.

Fraksiom.com