AktualitetTë fundit

Aeroporti i Kuçovës, ish pilotët rrëfejnë të kaluarën dhe shpresën për të ardhmen: Shtysë për të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave Ajrore

Rijetësimi i Aeroportit të Kuçovës,  nën drejtimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), ishte një emocion i veçantë edhe për veteranët e forcave ajrore shqiptare.

Teksa vrojtonin avionët luftarakë të NATO-s mbi qiellin e Kuçovës, ish-pilotët shqiptarë rijetuan për pak minuta momentet e para, që kanë shkelur në atë pistë, që ka shënjuar jetën e tyre.

Bilal Sina, i pari pilot që ka ulur një avionë pa motor në këtë aerodrom, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se nga kulla e vrojtimit i ishte urdhëruar të hidhej me parashutë, por ai nuk e kishte ndjekur këtë urdhër.

“Kjo bazë kishte 100 avionë që strehoheshin në tunel. Kishim uzinën e aviacionit, uzinën teknike ku mirëmbaheshin avionët. Këtu kam fluturuar dhe unë në vitet 1965-1974. Në 1967, kisha tre muaj që kisha mbyllur shkollën e aviacionit. Duke fluturuar avionin në ajër, isha 6000 metra mbi nivelin e detit, m’u fik motori. Mora urdhër për t’u hedhur me katapult, por unë e drejtova avionin të ulesha në pistë. Ishte një ulje e vështirë, e veçantë. Ishte krenari për aviacionin”, tha Bilal Sina, ish-pilot.

“Të gjithë aviatorët shqiptarë kanë kaluar në këtë bazë. Është mëma e aviacionit shqiptarë”, tha më tej Sina, i cili u bëri thirrje të gjithë të rinjve të apasionuar pas avionëve të ndjekin ëndrrën e tyre.

“Unë në kohën time, pavarësisht se është mbyllur tani shkolla e aviacionit, djalin tim po të kisha patur mundësi për pilot do ta çoja”, nënvizoi Bilali.

Edhe ish-piloti tjetër u bëri thirrje të rinjve të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.

“Të gjithë të rinjtë të afrohen tek FA. Për vetë zhvillimin që po marrin këto Forca të Armatosura, për teknologjinë që kanë dhe për kushtet e krijuara, qoftë ekonomike, qoftë infrastrukturore, ato bëjnë shumë mirë të bëhen pjesë e FA”, u shpreh ai.

“Ky është një sukses i qeverisë dhe popullit shqiptar që u bënë pjesë e aleancës së NATO-s, që është një nga fuqitë luftarake më të mëdha botërore. Krenari për popullin tonë. Është siguria e vendit tonë”, vijoi një tjetër ish-pilot. Ai tha se kjo është një perspektivë e re për të rinjtë, ndërsa u shpreh optimist për ekonominë e zonës.

“Për të rinjtë ky aeroport ushtarak mund të kthehet në një pikënisje të karrierës së tyre ushtarake. Është shumë  e rëndësishme për vetë kushtet që të rinjtë të ndjekin këtë edukim. Nga ana ekonomike, zona do jetë e motivuar të investojë dhe prodhojë në aspektin bujqësor dhe do ketë ndikim zhvillimi për zonën”, tha ai.

Hasan Muça, ish-pilot u shpreh se ka fluturuar që prej vitit 1971.

“Kam shkuar në Kinë. Kam fluturuar deri në vitin 2003, që dola në pension. Kemi fluturuar me Mik-19. Ka ndryshuar aerodromi, pista, ruloshkat këtu, të gjitha kanë ndryshuar. Është një ditë kaq e bukur, është e sigurtë për ne mbrojtja ajrore nga NATO, Amerika dhe nga vendet evropiane. Nuk e mendonin se do ta arrinim këtë ditë. Ka ndryshuar gjithçka”.

Kristo Kaçi, pilot dhe teknik rrëfeu për ATSH punën e zhvilluar për montimin e avionëve MIG-19. “Ishin 24 avionë që erdhën të zbërthyer. Unë isha nënkryetar i komisionit për montimin e avionëve. Tani që vij pas 20 viteve këtu dhe përurohet baza ajrore e NATO-s, për ne është kënaqësi e jashtëzakonshme”, tha Kaçi.

“Është ditë e veçantë. Kam fluturuar me të gjitha tipat e avionëve që ka pasur aviacioni shqiptar. Është një emocion i veçantë. Kjo bazë është më e mira dhe më e studiuara nga bazat që kemi pasur ne, që është dhe vendi dhe aerodromi më i mirë për t’u stërvitur”, nënvizoi një tjetër ish-pilot për ATSH.

Baza taktike ajrore e NATO-s në Kuçovë u inaugurua më 4 mars, në 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Kjo bazë ofron infrastrukturë të avancuar për mjetet ajrore të Aleancës, akomodim për trupat pjesëmarrëse si dhe do të shërbejë për stërvitjet e vendeve anëtarë të NATO-s, patrullime të hapësirës ajrore.

Në hapjen e bazës, avionët e NATO-së dhe dronët “Bajraktar” dhuruan spektakël në bazën ajrore të Kuçovës. Ceremonia u mbyll me manovrat e dy helikopterëve “Black Hawk” të Flotës Ajrore shqiptare.