AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në Shkodër diskutuam pikat e referimit për anëtarësimin në BE, rritje të ritmit të modernizimit të qeverisjes

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot për mediet nga Shkodra ku u zhvillua takimi i punës mes qeverisë dhe bashkive të vendit se, “jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit, të përshpejtimit të procesit të modernizimit të qeverisjes”.

“Sot kemi pasur një takim të zgjeruar të qeverisë me kryetarët e bashkive dhe me një sërë drejtuesish të disa agjencive që janë të lidhura edhe me funksionimin e pushtetit vendor dhe kemi diskutuar për një sërë temash me rëndësi, të cilat përbëjnë edhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit anëtarësimit në BE, pasi  është një proces që siç e kam thënë dhe nuk duhet të mërziteni nëse do ta dëgjoni ta përsëris shpesh, kërkon angazhimin, kërkon këmbënguljen dhe kërkon rezultate nga të gjithë, jo thjesht nga qeveria.

“Sepse nuk integrohet qeveria në BE, integrohet Shqipëria. Kjo do të thotë që puna e qeverisë është shumë e rëndësishme, por është një pjesë e punës, siç është një pjesë e punës puna e parlamentit, siç është një pjesë e punës puna e pushtetit gjyqësor,  siç është një pjesë tjetër e punës, puna e pushtetit vendor, siç është një pjesë tjetër e punës, puna e sektorit privat, e medias e kështu me radhë”, theksoi Rama.

“Kështu që jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit, të përshpejtimit të procesit të modernizimit të qeverisjes, në të dyja nivelet, si dhe të rritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor”, tha Rama.

Fraksion.com