Erdogan: Turqia e gatshme të organizojë një takim paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë
Turqia është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë midis Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës, tha Presidenti Tajip Erdogan të premten pas bisedimeve me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Stamboll dhe shtoi se Ankaraja mbështet integritetin territorial të Kievit.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me zotin Zelensky, Presidenti Erdogan tha se kishte diskutuar zhvillimet në lidhje me luftën në detaje, si dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, përfshirë marrëveshjen mbi eksportet e drithit, nga e cila Rusia u tërhoq në gusht të vitit të kaluar.
Ai tha gjithashtu se Turqia do të kontribuojë fuqishëm në rindërtimin e Ukrainës sapo të përfundojë lufta.
Para takimit, Presidenti Zelenskiy vizitoi një kantier detar pranë Stambollit për të inspektuar punën e prodhimit të dy luftanijeve për forcat detare të Ukrainës.
Turqia është anëtare e NATO-s dhe ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por gjithashtu ka ruajtur marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe flet rregullisht me të dyja palët në konflikt. Ajo ishte e angazhuar në ndërmjetësimin e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për eksportin e grurit përmes Detit të Zi, e cila hoqi një bllokadë de fakto ruse të eksporteve të grurit ukrainas.
Vizita e zotit Zelensky në Stamboll vjen përpara një vizite të pritshme të presidentit rus Vladimir Putin, për të cilën Kremlini ka thënë se do të bëhet pas zgjedhjeve të 15-17 marsit në Rusi.
Zyra e Presidentit Zelensky tha se axhenda e bisedimeve me zotin Erdogan përfshin një formulë paqeje që synon t’i japë fund luftës me Rusinë, lirimin e të burgosurve ukrainas të luftës të mbajtur nga Moska dhe marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes.
Në fillim të takimit, zoti Zelensky tha në platformën e mediave sociale X se Ankaraja dhe Kievi duhet të punojnë së bashku për të arritur sigurinë ushqimore dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, duke shtuar se Ukraina gjithashtu dëshironte lidhje më të forta në fushën e mbrojtjes me Turqinë dhe kishte nevojë për ndihmën e saj për të siguruar lirimin e të burgosurve.
“Ne jemi të interesuar të forcojmë bashkëpunimin dypalësh dhe bashkëprodhimin e armëve me kompanitë turke të mbrojtjes”, tha ai.
Një burim diplomatik turk tha se Ankaraja do të përsërisë dëshirën e saj për t’i dhënë fund luftës “përmes negociatave”, duke theksuar gjithashtu mbështetjen e fortë të vazhdueshme për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.
Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha pas takimit me homologun rus Sergei Lavrov në një forum diplomatik në Turqinë jugore se ka ardhur koha që Kievi dhe Moska të fillonin bisedimet për një armëpushim.
Fraksion.com