Uncategorized

“ Sherr në Oborrin Mbretëror”, Princ Leka dhe Elia Zaharia përfundojnë dyerve të policisë

Princ Leka dhe Elia Zaharia, çifti mbretëror që është në proces divorci pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri pasditen e djeshme.

Gjithçka ka nisur kur Princ Leka ka shkuar të takojë të bijën në shtëpinë e tij, ku jeton bashkë me të ëmën, Elia Zaharia. Siç rrëfen Princ Leka në dëshminë e tij, në ato momente vajza e mitur ka qenë me Gjergj Zaharinë, ish-vjehrri i tij, i cili po kujdesej për mbesën, pasi Elia nuk ndodhej në banesë.

Këtë takim të dy e përshkruajnë të dhunshëm, teksa Princi pretendon se është dhunuar nga Gjergj Zaharia, ndërsa ky i fundit ka thënë se është i moshuar dhe s’mund të dhunojë askënd.

Madje, në dëshminë e tij, Princ Leka pretendon se është dhunuar me sende të forta si statuja e drurit, ndërsa thotë se ish-vjehrri i ka grisur edhe xhupin në sy të vajzës. Ai thotë se sherri nisi nga ana e Gjergj Zaharia që “ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua”.

‘Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës’-pretendon princi.

Dëshmia e plotë e Princ Lekës:

“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen.

Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.

Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.

Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua.

Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.

Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur.”

Por nga ana e tij, Gjergj Zaharia pretendon të kundërtën duke u shprehur se “ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin e cili është 2 metra i gjatë”.

Ai e akuzon Lekën se e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda.

Dëshmia e Gjergj Zaharisë

“Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 e ca kusur vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë”.

Pas këtij episodi të dy janë paraqitur në polici, ku u është bërë akt ekspertimi mjekoligjor dhe i janë drejtuar gjykatës për urdhër mbrojtje. Pas kësaj, edhe Elia i është drejtuar komisariatit me pretendime për dhunë nga ish-bashkëshorti.

pas denoncimit për dhunë, të Princ Lekës dhe Elia Zaharias, ka reaguar Policia, cila thotë se të dyja palët pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri dhe janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Deklarata e policisë

“Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasi L. Z., 42 vjeç, dhe ka kallëzuar se shtetasja E. Z., 42 vjeçe, dhe shtetasi Gj. Z., 71 vjeç, kanë ushtruar dhunë ndaj tij. I është marrë deklarim shtetases E. Z., e cila gjithashtu pretendon se është dhunuar nga shtetasi L. Z. Për të dy këta shtetas janë plotësuar kërkesë paditë për urdhër mbrojtjeje të menjëhershme”, njofton policia.

Çfarë ka ndodhur me çiftin mbretëror?

Princ Leka njoftoi ndarjen më 15 janar, ku tha se kanë nisur dhe procedurat e nevojshme ligjore. Pas tij reagoi edhe Elia Zaharia, dhe mesazhi i përbashkët ishte se mirëqenia e vajzës së tyre do të mbetet në qendër të vëmendjes. Përmes një reagimi zyrtar, Princ Leka u shpreh se ‘martesa e ka humbur funksionin e saj, dhe e kanë parë të udhës ta zgjidhin atë me pëlqim reciprok duke filluar procedurat e nevojshme ligjore’.

“Ajo ç’ka ka më shumë rëndësi, është që vogëlushja ime ta përjetojë këtë moment sa më lehtë të jetë e mundur”, reagoi më pas Zaharia. Ndarja e Princit nga Elia Zaharia bëri bujë të madhe, me dyshimet ku thuhet se çifti ishin prej kohësh në një martesë të krisur. Shkak thuhet se është bërë lidhja e princ Lekës me fotografen e ish-çiftit, Blerta Celibashi. Madje ata janë shfaqur shpesh herë në publik bashkë, por ende nuk e kanë zyrtarizuar marrëdhënien e tyre.

Fraksion.com