Sekuestrohen 53 600 euro dhe 133 shishe me verë në Portin e Durrësit, 1 në pranga dhe 2 të proceduar
Policia Kufitare e Durrësit godet dy raste të mosdeklarimit të parave apo mallrave. Sipas njoftimit të Policisë Vendore Durrës, bëhet me dije se falë kontrolleve të ushtruara u sekuestruan, pasi ishin të padeklaruara 53 600 euro, 133 shishe me verë, veshje dhe 6 celularë, që u gjetën në 2 automjete, në hyrje të Shqipërisë.
Sipas policisë, në kuadër të dy rasteve të goditura, u arrestua 1 person dhe u proceduan penalisht 2 të tjerë, drejtues të automjeteve ku u gjetën paratë dhe mallrat.
“Si rezultat i kontrolleve në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, të kryera ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, në bashkëpunim me specialistët e Autoritetit Doganor, evidentuan dhe goditën 2 raste të mosdeklarimit të parave dhe/ose mallrave, në këtë pikë të kalimit kufitar”, bën të ditur Policia e Durrësit.
“U arrestua në flagrancë shtetasi Gj. Gj., 30 vjeç, banues në Lezhë, dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. K., 29 vjeç, banues në Laprakë, pasi nga kontrollet në vijë të dytë, në furgonin që drejtonte 30-vjeçari dhe që kishte shofer alternativ, shtetasin E. K., u gjetën 53 600 euro, 6 celularë dhe disa veshje, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi”, njofton Policia.
“Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Q., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin tip “Volkswagen” që drejtonte, u gjetën 133 shishe me rreth 100 litra verë, të cilat ky shtetas tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë së Durrësit.
Fraksion.com