AktualitetBota+Të fundit

Berlini duhet të zgjedhë përfundimisht pas dekadash paqartësi: Rusinë ose Perëndimin

Nga Stefano Stefanini

 

Ish-Kancelari Gerhard Shrëder e bëri Gjermaninë të ndërvarur nga gazi rus. Ndërkohë Angela Merkel nuk e lejoi veten të magjepsej politikisht nga Vladimir Putin – që u hakmor duke e frikësuar me qenin e tij të madh Labrador, gjatë një takimit midis tyre – por simbioza energjetiko- tregtare vazhdoi të forcohej…

Midis Rusisë dhe Gjermanisë ekziston aktualisht një ndjenjë nostalgjie dhe keqardhje e shprehur në frazën “Ne e donim shumë njëri-tjetrin…”. Sepse tani po merr fund një bosht gjeopolitik themelor në Evropë. Të çarat u bënë të dukshme pas reagimeve të forta nga Kremlini pas publikimit të një audio-përgjimi midis ushtarakëve të lartë gjermanë mbi karakteristikat dhe performancën e raketave Taurus të kërkuara nga Ukraina.

Anasjelltas, kjo krisje u vu re edhe në sikletin e dukshëm të Gjermanisë në kundërpërgjigje ndaj akuzave të Rusisë, dhe që nuk kishte lidhje me përmbajtjen reale të bisedës. Për Gjermaninë, ky episodi nuk është një ndarje e përkohshme, por konfirmim i zhvendosjes së pllakave tektonike në ekuilibrin evropian.

Marrëdhëniet midis Gjermanisë Federale dhe Bashkimit Sovjetik, ishin forcuar që nga viti 1969 me Ostpolitik-ën e Willy Brandt dhe një Gjermani të ndarë. Fokusi tek tregtia synonte të zbuste përplasjen midis blloqeve Lindje-Perëndim. Raportet u forcuan më tej pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjemanisë në vitin 1990.

Gjermania po e falënderonte Moskën. Pasi u zhduk ndarja gjeopolitike, nuk kishte më asnjë pengesë për të bërë biznes të përshtatshëm me përfitime të ndërsjellta. Ish-Kancelari Gerhard Shrëder e bëri Gjermaninë të ndërvarur nga gazi rus.

Ndërkohë Angela Merkel nuk e lejoi veten të magjepsej politikisht nga Vladimir Putin – që u hakmor duke e frikësuar me qenin e tij të madh Labrador, gjatë një takimit midis tyre – por simbioza energjetiko-tregtare vazhdoi të forcohej.

Ndërkohë, Rusia pushtoi Gjeorgjinë (2008) dhe për herë të parë edhe Ukrainën (2014), ndërsa tërhiqet sistematikisht nga të gjitha traktatet për kufizimin dhe kontrollin e armëve, duke përfshirë ato që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë evropiane: Traktati i Forcave Konvencionale në Evropë (CFE) dhe falë SHBA-së Traktati për Forcat Bërthamore të Ndërmjetme (INF), Gjermania e Merkelit bën pak diplomaci me marrëveshjet e pazbatuara Minsk I dhe Minsk II.

Megjithatë nuk distancohet, ashtu si Italia e drejtuar nga Silvio Berlusconi. Lidhja Gjermani-Rusi bëhet gjithnjë e më e afërt, deri në ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të forconte akoma më shumë varësinë energjetike. Qeveria e Olaf Scholz-it po vazhdonte në të njëjtën linjë.

Gjithçka ndryshoi më 24 shkurt 2022. Ndoshta i llastuar nga vite të tëra prirjeje të gjermaneve (dhe evropianëve) për të pranuar faktin e kryer, Vladimir Putin mendoi se mund t’ia hidhte edhe këtë herë me disa sanksione relativisht të lehta. Por nuk ndodhi kështu, edhe sepse ukrainasit e mohuan dhe vazhdojnë t’ia mohojnë atij pranimin e faktit të kryer.

Fija e bashkëpunimit ekonomik dhe mirëkuptimit politik mes Berlinit dhe Moskës është këputur dhe nuk mund të rilidhet më.

Duke pasur parasysh intensitetin e marrëdhënieve të krijuara gjatë 30 viteve, zhdukja e tyre ka eliminuar çdo kufizim nga ana e ruseve për të shfryrë inatet dhe pretendimet e tyre territoriale, duke “peshkuar” në “liqenin e zi” të historisë, aq shumë i preferuar nga Vladimir Putin.

Shumë larg këtyre gërvishtjeve të rrezikshme, Gjermania po përballet me nevojën për të ri-kalibruar politikën e saj të jashtme drejt një dimensioni sigurie, duke e kthyer në prioritet dhe jo në varësi të atij sektorit ekonomiko-tregtar. Kjo është “Zeitenwende” (pikë kthese historike) e vërtetë.

Me ndërlikime të parashikueshme transatlantike, në rastin e të rizgjedhjes president të Donald Trump. Por gjithçka në kohën e vet: tani Gjermania duhet të mendojë për Rusinë, dhe jo në mënyrë abstrakte, për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sepse marrëdhëniet e ardhshme me Moskën – të Gjermanisë, të Evropës, Italisë – do të kushtëzohen nga mënyra se si përfundon lufta Rusi-Ukrainë. Çdo politikë, evropiane apo kombëtare, në raport me Rusinë fillon me politikën ndaj Ukrainës. A e kuptoi këtë Macron? Po Scholz?

Për momentin problemi më akut për kancelarin gjerman është padyshim gafa e bujshme e shërbimit të tij sekret, që i ka ofruar Moskës një asist të madh propagandistik, duke vënë maskën e një viktime të mundshme të agresionit gjerman në rastin e furnizimit të Ukrainës me raketat Taurus.

Propagandistët rusë vazhduan propagandën, me të zakonshmin Dmitri Medvedev, i cili shquhet për zellin e tij, kërcënimet vanitoze dhe rishfaqjen e fantazmave historike. Ambasadori gjerman në Moskë, Alexander Graf Lambsdorff, u thirr nga Ministri i Jashtëm rus. Sipas gjermanëve, nuk ishte një “thirrje” formale por një takim i planifikuar. Sido që të jetë, ai me siguri do të ketë marrë një mesazh të ashpër nga Sergej Lavrov: mos e furnizoni Ukrainën me raketat Taurus.

Çfarë duhet të bëjë Olaf Scholz? Prej kohësh kancelari gjerman ka pasur dyshime nëse duhej t`i dërgonte këto raketa apo jo. Por tani nëse vazhdon që të refuzojë, do të duket sikur po i dorëzohet presionit rus. Si gjithmonë, Scholz do të marrë kohën e tij. Por herët a vonë do të duhet ta marrë këtë vendim të parevokueshëm.

Rreziku që mund të vijë nga mos-dërgimi i armëve dhe municionet në Kiev, që i nevojiten për t’i rezistuar Rusisë, apo dërgimi i tyre tepër vonë, është kurthi nga i cili duhet pasur kujdes, për të mos derdhur pastaj lot krokodili. Dhe kjo vlen për të gjithë evropianët, përfshirë Italinë./Përshtati Pamfleti nga “La Stampa”