Baza ajrore e Kuçovës, gjeneral Pando: Pozicion strategjik, gati për stërvitjen “Europe Defender 2025”
Drejtori i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralbrigade Aleksandër Pando, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se baza ajrore taktike e Kuçovës mund të jetë një bazë mbështetëse për stërvitjen “Europe Defender 2025”.
Ai tha se në bazën ajrore të Kuçovës, që u përurua më 4 mars, do të qëndrojnë mjetet ushtarake të Forcës Ajrore Shqiptare dhe mund të mbahet dhe stërvitja “Europe Defender 2025”.
“Investimi i bazës së NATO-s ka kushtuar 55 milionë euro. Pozicioni i Kuçovës është një pozicion strategjik, në gjithë Ballkanin Perëndimor NATO nuk ka një bazë të vetën ajrore. Edhe për kushtet e motit, Kuçova, nga pilotët që kanë fluturuar atje, është një bazë që asnjëherë nuk mbulohet nga mjegulla për shkak të pozicionit, luginave”, tha gjenerali.
“Kjo bazë do të shërbejë për mbështetjen e aktiviteteve të NATO-s, si ato operacionale, ashtu dhe ato të stërvitjes. Po ashtu në këtë bazë do të jenë dhe mjetet tona ajrore që do të jenë në mbështetje të gjithë aktiviteteve stërvitore dhe aktiviteteve të natyrave të tjera të Forcave të Armatosura”, tha ai.
“Ky eveniment vjen pas një periudhe të gjatë që kjo bazë ajrore nuk ka ushtruar aktivitetin e saj. Ndërtimi i kësaj baze është arritur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare dhe aleatëve tanë në NATO, që investuan 55 milionë euro për këtë bazë, që do të jetë dhe për aktivitetet operacionale të NATO-s, por edhe aktivitete të tjera. Në këtë bazë ne shpresojmë që vitin tjetër të presim edhe stërvitjen “Europe Defender 2025””, nënvizoi gjeneral brigade Aleksandër Pando.
“Në këtë bazë ne kemi helikopterët “Black Hawk”. Në të ardhmen do jenë dhe avionët pa pilotë “Bayraktar”, të blerë nga Turqia. Po ashtu, pritet të blihen dhe katër helikopterë të tjerë “Black Hawk”, që do të vihen në këtë bazë dhe do të jenë në dispozicion të trajnimeve për pilotët tanë”, tha Pando.
Ai tha se kjo bazë ajrore do të jetë inkurajuese për brezat e rinj që duan të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.
“Forcat e Armatosura kanë hyrë në procesin e modernizimit dhe ndryshimeve ligjore për mbështetjen e personelit tonë. Shtimi i kapaciteteve të bazës do të afrojë të rinjtë për t’u bërë pjesë e Forcave Ajrore dhe atyre të Armatosura”, përfundoi gjeneral brigade Aleksandër Pando.\
Fraksion.com