AktualitetBota+Të fundit

“Uria” e përdorur si armë lufte nga Izraeli vrau 16 fëmijë në Gaza

Përderisa Izraeli ka shkaktuar katastrofë të madhe humanitare në rajon duke penguar hyrjen e ndihmave në Rripin e Gazës, ku kryen sulme shkatërruese për rreth 5 muaj, “Politika e urisë” e Izraelit deri më tani ka çuar në vdekjen e 16 fëmijëve, më i vogli prej të cilëve një foshnjë 14-ditëshe.

Pavarësisht thirrjeve nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare për të ofruar ndihmë urgjente humanitare në Gaza për të parandaluar fatkeqësinë, Izraeli nuk lejon që uji, ushqimi, ilaçet, karburantet dhe energjia elektrike të dërgohen në zonën e bllokuar.

Kohën e fundit ka patur rritje të vdekjeve të fëmijëve, përfshirë foshnjat dhe të sapolindurit, për shkak të kequshqyerjes që rezulton nga “politika e urisë” e zbatuar nga Izraeli në Gaza. Sipas të dhënave të fundit të shpallura nga autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës, numri i fëmijëve që vdiqën për shkak të kequshqyerjes që nga 4 marsi arriti në 16.

Mësohet se 15 fëmijë vdiqën për shkak të mungesës së ushqimit, dehidrimit dhe ndërprerjeve të energjisë në Beit Lahiya, Beit Hanoun dhe Jabalia në veri të Rripit të Gazës ndërsa një fëmijë vdiq në qytetin Rafah në jug.

Më i vogli është 14-ditësh, më i madhi 10-vjeç

Më i vogli nga fëmijët që vdiqën në Gaza si rezultat i “politikës së urisë” të Izraelit ishte 14-ditësh ndërsa më i madhi 10-vjeç.

Emrat dhe moshat e fëmijëve në fjalë janë: Yezen al-Kefarne (10-vjeç), Ibrahim al-Batsh (3-vjeç), Halid Ahmed Hicazi (2,5 vjeç), Mira Salih Abdunnebi (2-vjeç), Mahmud Aben (1-vjeç), Anwar al-Khudari (9 muajsh) ), Yusuf Sami et-Teramsi (6-muajsh), Minnetullah Ebu Umeyra (6-muajsh), Abdulaziz Salim (2-muajsh), Muhammed ez-Zayig (45-ditësh), Seher ez-Zubde (40-ditësh) dhe Musab Ebu Asr (mosha e panjohur), si dhe një djalë 2-vjeç emri i të cilit nuk dihet dhe 3 vajza emrat e të cilave nuk dihen, 40 ditë, 33 ditë dhe 14 ditë.

“Ka shumë fëmijë që janë sjellë në spital për shkak të kequshqyerjes”

Drejtori i spitalit “Kemal Advan”, Husam Abu Safiye në deklaratën për Anadolu në lidhje me vdekjet e fëmijëve, tha se 15 fëmijë vdiqën në spital për shkak të kequshqyerjes.

Në deklaratën e tij më 28 shkurt, Abu Safiye tha se spitali ishte jashtë funksionit për shkak të mungesës së karburantit.

Ka uri të vërtetë, veçanërisht në rajonet veriore të Gazës

Për shkak të sulmeve dhe kufizimeve të vazhdueshme të Izraelit, mijëra civilë palestinezë në qytetin e Gazës dhe veçanërisht në rajonet veriore po përjetojnë uri të vërtetë për shkak të mungesës së ushqimit, ujit, ilaçeve dhe karburantit.

Drejtoresha rajonale e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Adele Khodr, në deklaratën e saj me shkrim më 3 mars në lidhje me vdekjen e foshnjave të kequshqyera në Gaza, e cila është nën sulmin dhe bllokimin e Izraelit, tha se kequshqyerja ka shkatërruar Rripin e Gazës dhe se ka vdekje të fëmijëve.

Khodr theksoi se të paktën 10 fëmijë kanë vdekur për shkak të kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin “Kemal Advan” në veri të Rripit të Gazës ditët e fundit.

Sipas një sondazhi të UNICEF-it dhe Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në veri të Gazës në janar, 16 për qind e fëmijëve nën moshën 2-vjeç dhe 5 për qind në qytetin jugor Rafah përballen me kequshqyerje të rëndë./aa

 

Fraksion.com