Rienergjizimi i PS, Rama: Të garantojmë progres të pakthyeshëm në Shqipëri
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mori pjesë sot në procesin e rienergjizimit të PS me Organizatat Socialiste 1882/2 (Njësia 7) dhe 1537/ 11 (Lagjja 4) në Tiranë që sot vijoi me anëtarësime të reja.
Në fjalën e tij Rama u shpreh se, “PS duhet të jetë në gjendje që ta garantojë progresin në ekonomi, progresin në drejtësi dhe progresin në pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë duke e bërë të pakthyeshëm”.
“Shqipërisë i është hapur një portë e re sot. Ajo që ndodh me prurjet e vizitorëve në Shqipëri është vetëm një shembull i prekshëm i këtij fakti, që ne në janar dhe në shkurt të kemi një rritje si rritja që kemi pasur këtë janar dhe shkurt të turizmit është shumë domethënëse për faktin që është i hapur një portë e re Shqipërisë. Dhe ky moment lidhet shumë me ne për sa kohë ne kemi përgjegjësinë që ta udhëheqim këtë vend”, tha Rama.
“Nuk ka asnjë qendër votimi në Shqipëri që PS nuk e fiton dot. Nuk ka. Nuk ekziston asnjë. Cilësia e fitores do të thotë që ne të rrisim kapitalin njerëzor të PS-së, që ta reflektojë hapjen dhe të reflektojë edhe nevojën që të vlerësohen njerëzit e duhur”, theksoi Rama.
Fraksion.com